Loading...

Shiroka, fshati turistik ku fshihet magjia e historisë

Fare pak kilometra larg Shkodrës, buzë Liqenit të Shkodrës, më i madhi në Ballkan, fshati i Shirokës pret çdo lloj turisti nga e gjithë bota. Me arkitekturën e veçantë të ndërtesave, plazhet e vogla që pa asnjë vështirësi kthehen në plazhe private pasi nuk zënë më shumë se dy familje dhe një traditë gastronomike të shquar janë ato çfarë Shiroka na ofron.

Fillimisht, Shiroka ka qenë një qendër besimi. Një ndër martirët më të mëdhenj të krishtërimit shqiptar, dom Ndoc Noga e ka prejardhjen nga aty. Kisha kushtuar Shën Rrokut, shenjt që tashmë është kthyer në festën tradicionale të fshatit, e rindërtuar pas viteve ’90 gëzon histori dhe lavdi që rrallë kishë në Shqipëri e ka.

Duke qenë një vend që daton shekuj më parë, disa shtëpi, pjesa më e madhe të pabanuara, përfaqësojnë atë arkitekturën e veçantë të Shirokës, arkitekturë që nuk mund të gjendet në krahina e zona të tjera as të Shkodrës e as të Shqipërisë. Aty pranë, në një kodër mbi shkollën e fshatit, qëndron akoma në këmbë Vila e Zogut.

Një vilë me arkitekturë italiane e cila u ndërtua për mbretin e asaj kohe Ahmet Zogun, por në të cilën Zogu nuk erdhi asnjëherë. Me ardhjen e komunizmit, ajo u kthye në Kamp Pionierësh dhe pas ’90, është e paqartë çfarë ka ndodhur me të.

Plazhet e vogla, me breg guror ose shkëmbor, ku luahesh mes peshqve janë një tjetër tërheqje për tursitët që vijnë nga anë e kënd botës. Fjala bie, para pak kohësh kam parë turistë izraelitë të cilët më thanë se kishin ardhur të shtyrë nga një tjetër grup izraelitësh që kishte qenë më parë.

Sa për ato që pëlqejnë ushqimin, Shiroka zë “vendin e parë” në gjithë zonën e Shkodrës. Më i jashtëzakonshëm se gatimi është forma e të gatuarit ku klienti e sheh krapin ndërkohë që zihet dhe pastaj teksa gatuhet për t’u servirur në pjatë apo në tjegull, si një traditë që me shumë mundësi daton qysh para Krishtit.

Pra Shiroka, kjo zonë e paçmuar turistike duhet të jetë në sytë e të gjithëve si një vend që nuk duhet lënë pa u vizituar. Më besoni, Shqipëria është më e bukur nga sa ju pandehni!/Njekomb

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com