Loading...

“Butrinti Summer Festival” ringjall skenën antike me shfaqje kulturore dhe artistike

Butrinti Summer Festival” këtë vit mbërrin në edicionin e 16.

Festivali ndërkombëtar i teatrit në Butrint nisi mbrëmjen e 8 korrikut e do të vazhdojë deri më 14 korrik duke sjellë disa shfaqje në skenën antike me aktorët shqiptarë, por dhe të huaj.

Këtë herë vijnë trupa nga Maqedonia, Ukraina, Greqia dhe Shqipëria. Për publikun do të shfaqen vepra të autorëve të njohur botërorë dhe nuk mungojnë veprat e antikiteti grek.

Festivali nisi me komedinë “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit që e solli në skenë Teatri i Metropolit, vepër me regji nga amerikani Justin Anderson. Më datë 9 korrik në skenë do të vijë shfaqja performancë “Personazhet e dramës së antikitetit grek” nga regjisorët Dinos Koubatis, Pandelis Garios.

Vijon në festival dhe shfaqja “Njeriu dhe zjarri” bazuar mbi mitin e Prometeut me regji nga Dejan Projkovski nga Maqedonia, ndërsa më 12 korrik do të vijojë shfaqja “Monger” nga artistët e TOB me koreografinë e izraelitit, Barak Marshall.

Shfaqja e fundit në festival do të jetë “Kopshti i qershive” nga Anton Chekhov, që e sjell në skenë trupa e teatrit të Ukrainës me regji nga Yaroslav Fedoryshyn. Por festivali do të vijojë dhe me një natë tjetër mbrëmjen e datës 14 korrik.

Festivali ndër vite….

Festivali ndërkombëtar i teatrit “Butrintit 2000” është parë si simbol i ballafaqimit të kulturave dhe i lirisë të krijimit artistik. Ai është arenë e dramaturgjisë së mjeshtrave të mëdhenj, të cilët vijnë dhe aktualizohen prej mbartësve të një realiteti bashkëkohor.

Në edicionet e tij kanë marrë pjesë trupa teatrore nga: Italia, Franca, SHBA, Anglia, Greqia, Rusia, Kosova, Zvicra, Republika Çeke, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Rumania, Spanja, Bullgaria, Ukraina, Holanda, Qipro, Hungaria, Suedia, Polonia e Shqipëria.

Një vit më parë edicioni i 15 i festivalit, 13-20 korrik në teatrin antik të Butrintit u hap me një dokumentar kushtuar këtij aktiviteti për të vijuar më pas dhe me një koncert të orkestrës së harqeve e klubit të Artit dhe Kulturës.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000” është cilësuar si simbol i ballafaqimit të kulturave dhe i lirisë të krijimit artistik./atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com