Loading...

Siguria ushqimore, AKU bllokon mish pa certifikatë veterinare

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vazhdë të monitorimeve të njësive tregtare në të gjithë Shqipërinë, ka bllokuar sasi mishi dhe ka gjobitur disa subjekte. Kështu, në qarkun e Dibrës, në kuadër të kësaj fushate, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i ka shtuar shumë kontrollet dhe po mban në monitorim të rreptë të gjitha njësitë tregtare kryesisht të mishit.

Gjatë këtyre inspektimeve në qytetin e Burrelit, në lagjen Drita, AKU ka gjobitur 3 subjekte tregtare, ku bllokoi 20 kg mish viçi dhe 12 kg mish qingji pa vulë dhe certifikatë veterinare. Subjekti tregtar u gjobit me 200000 lekë. Në vijim të këtij aksioni u bë e mundur gjithashtu dhe bllokimi i një sasie prej 30 kg mish viçi, në një tjetër subjekt tregtar në të njëjtën lagje.  Dhe kjo sasi mishi ishte pa vulë dhe certifikatë veterinare ndërsa subjekti mori të njëjtën vlerë gjobe.

Subjektit të treti iu bllokua një sasi prej 39 kg mishi viçi. Dhe kjo sasi ishte jashtë standardeve ligjore, pa vulë dhe certifikatë veterinare. Dhe ky subjekt u gjobit me 200000 lekë për mungesën e gjurmueshmërisë.

Aksioni i AKU-së u shtri dhe në lagjen tjetër të qytetit të Burreli, “Pjeter Budi”, ku gjatë kontrollit u bllokua sasia prej 17 kg mish qingji pa vulë dhe certifikatë veterinare. Në total sasia e bllokuar nga ky aksion ishte 118 kg mish dhe vlera e gjobave të vëna arriti në shifrën 800000 lekë.

AKU u bën thirrje të gjitha subjekteve tregtare të tregtojnë produkte brenda standardeve ushqimore dhe të pajisura me vulë dhe certifikata veterinare, ndërsa nga ana tjetër u bën thirrje konsumatorëve të zgjedhin njësitë tregtare të licencuara dhe të kërkojnë gjithmonë dokumentin fiskal si një prej elementëve që garanton gjurmueshmërinë dhe për rrjedhojë sigurinë ushqimore. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com