Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor që në fillim të muajit qershor dhe deri tani ka kryer 1072 inspektime në të gjithë vendin për të mos toleruar asnjë biznes që nuk plotëson kushtet higjieno-sanitare.
Kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një intervistë për ERTV, mbi aksionin e kontrolleve për kushtet higjieno-sanitare në të gjitha njësitë e ofrimit të shërbimeve si baret, restorantet, pishinat apo njësitë e prodhimit ushqimor.
“Aksioni i ndërmarrë nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, nuk është aksion i ditëve të fundit. Ne kemi realizuar një plan së bashku me të gjitha ministritë e tjera, të cilat janë të angazhuara në planin e masave të sezonit turistik të sigurtë dhe për të garantuar shëndet të mirë për pushuesit, turistët dhe qytetarët duke ndërmarrë një seri inspektimesh në subjektet akomoduese, bare, restorante, pishina publike dhe private dhe duke inspektuar kushtet higjieno-sanitare dhe standardet e ofrimit të shërbimit”, thotë Manastirliu.
Ajo theksoi se para fillimit të sezonit turistik, janë kryer 2300 inspektime në këto subjekte.
Duke folur për sigurinë dhe kushtet higjieno-sanitare, Manastirliu theksoi se nga kontrollet dhe inspektimet e kryera nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor rezulton se sot ka më shumë siguri sesa ka pasur vite më përpara përsa i përket sigurimit të standardeve higjieno-sanitare”.
“Para se të fillonte ky sezon, janë kryer inspektime dhe i janë lënë rekomandime subjekteve të ndryshme akomoduese, bareve, restoranteve apo të tjera subjekteve që tregtojnë dhe prodhojnë produkte ushqimore, në mënyrë që të garantohej që gjatë sezonit turistik asnjë qytetar të rrezikohej për shkak të kushteve të higjieno-sanitare”, nënvizoi Manastirliu duke shtuar se ka pasur shumë reflektim dhe sot jemi në kushte më të mira seç ishim, përsa i përket standardeve që subjektet ofrojnë për pushuesit gjatë zonave bregdetare.
Ministrja bëri të ditur se “inspektimet do të vazhdojnë në kombinim edhe me inspektoriatet e ministrive të tjera si të Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Turizmit dhe Mjedisit, në mënyrë që t’i garantojmë pushuesve një sezon turistik të sigurtë e të shëndetshëm”.
E pyetur për masat ndaj atyre që shkelin ligjin, Manastriliu tha se tashmë nuk do të ketë më paralajmërim por vetëm masa si; mbyllja provizore e subjekteve, gjobë ose deri në mbyllje të biznesit.
Sipas saj, nuk do të ketë tolerancë për asnjë subjekt që nuk plotëson këto kushte.
Lidhur me procesin i dezinsektimit në zonat turistike, për të garantuar një sezon turistik të sigurtë për çdo pushues, ministrja u shpreh se “ky proces ka nisur në prill në ato zona që janë konsideruar si hot spote si në Shëngjin, Tale, Velipojë, Durrës, por edhe në zonat urbane, Divjakë. Ky proces po vijon të kryhet edhe në plazhet e Vlorës, Qeparoit, Borshit, Ksamilit, por edhe në Butrint”.
Ministrja sqaroi se “janë kryer 104 trajtime dhe do të vazhojnë të kryhen, kemi 40 trajtime në zona të cilat janë të identfikuara si hot spote. Në këtë mënyrë nuk do të kemi sëmundje infektive”.
Sa i përket ngritjes së qendrave të reja shëndetësore verore Manastirliu tha se “këto qendra janë 24 orë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve. Vetëm përgjatë kësaj periudhe nga 1 qershori deri tani 8600 qytetarë kanë marrë shërbime në qendrat shëndetësore verore. 112 mjekë dhe infermierë janë të atashuar me kohë të plotë dhe ofrojnë shërbim shëndetësor. Po ashtu edhe autoambulancat në 17 pika të bregdetit ofrojnë kujdes shëndetësor dhe referojnë në kohë shumë të shpejtë pushuesit apo raste që janë emergjencë për jetën, në spitalet më të afërta apo në qendrat shëndetësore verore”. //atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155947582281523/?t=0