Krerët Pazaret e drogës, krerët e krimit dhe korrupsionit të politikës shqiptare kanë hyrë në një lojë të rrezikshme, kolumbianët mesazh të koduar me eliminimin e dy gardistëve pas kapjes së ngarkesave me kokainë dhe euro, politikanët mes dy zjarreve, po u dridhet toka nën këmbë, ja çfarë fshihet pas deklaratës së fortë të ambasadorit Lu.
Kokave të krimit dhe politikës shqiptare po u dridhet toka nën këmbë. Nuk bëhet më fjalë për frikë nga drejtësia e re dhe burgu për afera korruptive, por për forca të jashtme, me të cilat nuk bëhet shaka, pasi të fshijnë nga faqja e dheut. Kokat e krimit dhe politikës shqiptare kanë hyrë në një lojë të rrezikshme, duke luajtur mes karteleve të drogës dhe partnerëve strategjikë, të cilët janë në luftë me kapot e drogës. Politikanët e nivelit të lartë shqiptarë, nga njëra anë bashkëpunojnë me kartelet duke u garantuar kalimin e ngarkesave me drogë, por nga ana tjetër bëjnë sikur bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtar në luftën kundër trafikut të drogës, për të ruajtur pozitat e pushtetit, qoftë kur janë në qeveri, qoftë kur janë në opozitë.
Kjo lojë e dyfishtë duket se nuk mund të zgjasë shumë. Kapot e drogës ndihen mosbesues dhe të tradhtuar. Për rrjedhojë, ata u kanë dhënë kohët e fundit disa mesazhe politikanëve shqiptarë, përmes disa vrasjeve që në dukje duken si aksidentale dhe vetëvrasje. Javët e fundit kanë vdekur në mënyrë misterioze dy gardistë, përgjegjës për sigurinë e jetës së funksionarëve të lartë, nga kryeministri deri tek kryetari i opozitës. Gardisti i parë humbi jetën pasi e shtypi një makinë, ndërsa i dyti, shofer i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, humbi jetën po në mënyrë të dyshimtë brenda Ministrisë së Brendshme.
Gjatë viteve të fundit, sa herë që në Shqipëri është kapur një sasi kokaine me burim nisje nga Kolumbia apo Ekuatori, janë vrarë persona të rëndësishëm me lidhje të forta me politikanët e nivelit të lartë. Vdekja e dy gardistëve ka ardhur pikërisht pas kapjes së një sasie rekord kokaine në Durrës, prej 613 kg si dhe pas bllokimit të 3.6 milionë eurove. Gardistët mund të mos kenë asnjë lidhje me këtë çështje, por ata mund të jenë viktima të një prag lufte mes krerëve të politikës shqiptare dhe karteleve të drogës.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania po rrisin presionin ndaj politikës shqiptare për të luftuar kapot e drogës në Shqipëri dhe jashtë saj. Jo më larg se dje, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, për herë të parë akuzoi qeverinë e Edi Ramës, policinë dhe prokurorinë se janë të paafta ose nuk kanë vullnet për të kapur një prej kapove të drogës, Kelmend Balilin, me lidhje të forta politike me partinë e Ilir Metës dhe të Monika Kryemadhit. Këta dy të fundit e bënë Balilin drejtor transportesh në Sarandë.
Ambasadori amerikan ua bëri dje të qartë shqiptarëve se qeveria, policia dhe prokuroria nuk duan që ta kapin Balilin, duke deklaruar se Balili ka lidhje të forta politike. Nuk ka më qartë dhe troç se sa kaq: Balili është një nga kapot që kontrollon politikën shqiptare. Ambasadori dha edhe një mesazh tjetër, kur tha se kapot e krimit tani duhet të kenë frikë, pasi do të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit. Ky ishte një mesazh edhe për krerë e politikës shqiptare, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse janë me kapot e drogës apo me amerikanët dhe gjermanët./Pamfleti>