Liderët e NATO-s i tremben samitit me Donald Trump, të mërkurën dhe të enjten në Bruksel, sepse ata presin që të vihen nën presion, madje mund edhe të keqtrajtohen nga një president amerikan hakmarrës që kërkon ndarjen e barrës financiare, me rrezikun e dobësimit të besueshmërisë së Aleancës.
Europianët i druhen edhe faktit që Trump po përpiqet t’i ndajë, me anë të lëshimeve të mundshme ndaj Rusisë fill përpara takimit të tij historik me Vladimir Putin më 16 korrik në Helsinki, sipas disa analistëve.
‘’E kemi përgatitur më së miri terrenin e samitit ku secili e di që do të jetë nën presion dhe sa i lartë do të jetë ai’’, ishte shprehur për median ministrja franceze e Ushtrisë, Florence Parly, gjatë një takimi ministror të Aleancës në fillim të qershorit.
Ministrja francez u shpreh se presidenti i SHBA-së do të ushtrojë një presion mjaft të fortë ndaj aleatëve, kryesisht atyre europianë, në mënyrë që këta të fundit të paguajnë barrën që po mban SHBA-ja në NATO, sipas pretendimit amerikan.
Në fund të qershorit, Trump i dërgoi një letër kërcënuese nëntë anëtarëve të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Kanadanë dhe Norvegjinë për t’i bërë me dije për të përmbushur angazhimet e tyre duke rritur shpenzimet ushtarake me 2% të PBB-së së tyre deri në vitin 2024.
Ndarja e shprenzimeve do të jetë një nga pikat kryesore të samitit, u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ku shteti, Norvegjia radhitet në numrin e nxënësve të këqinj të kritikuar nga Uashingtoni.
-Një samit i vështirë-
Ky samit pritet të jetë i vështirë, ishte paralajmërimi i një diplomati europian në kushte anonimati. Suksesi i takimit do të varet nga humori i Donald Trump.
‘’Me presidencën Trump, një pasigurie e thellë ka pushtuar tërësinë e aktorëve europianë, theksoi eurodeputeti francez, Arnaud Danjean, njohës i çështjeve të mbrojtjes.
Nuk bëhet fjalë vetëm për dyshime në lidhje me besueshmërinë e angazhimeve amerikane në kuadër të Aleancës, por gjithashtu orientimeve të një politike të jashtme amerikane, të paqëndrueshme e prirur si nga izolacionismi ashtu dhe nga aventuzmi, që do të lëkundë pak a shumë në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e sigurisë europiane.
-Frika e ndarjes-
Ekspozimi i ndasive është frika më e madhe e Jens Stoltenberg. Kreu i NATO-s nuk mund të mohojë divergjencat serioze që po përballet SHBA-ja me anëtarët e tjerë të Aleancës. Por ai dëshiron të besojë se ato do të zbehen gjatë samitit.
Megjithatë, paparashikueshmëria e presidentit amerikan ushqen të gjitha hipotezat.
‘’Ai mund të anulojë manovrën +Trident Juncture+ e planifikuar për në vjeshtë në Norvegji, e njoftuar si më e rëndësishmja e realizuar më parë nga NATO që nga fundi i Luftës së Ftohtë me motivacionin që kjo mund të konsiderohet si një kërcënim nga ana e Rusisë dhe se do ti kushtojë shumë shtrenjtë taksapaguesve amerikanë, arsyeton në këtë mënyrë Ian Bond, ekspert i Rusisë i institucionit ‘’ Centre for European Reform’’ (CER).
Franca i ka ngarkuar tetë anëtarëve të Bashkimit Europian, përfshirë Gjermanisë dhe Britanisë se Madhe një Task Forcë Europiane e aftë për të kryer me shpejtësi një operacion ushtarak, një evakuim në një shtet në luftë apo për të ofruar asistencë në rast fatkeqësie.
‘’Këto përpjekje janë plotësuese me ato të ndërmarra brenda NATO-s’’, shprehet ministrja franceze.
Por as kreu i diplomacisë amerikane, Mike Pompeo as ministri i Mbrojtjes, Jim Mattis nuk janë të bindur.
Donald Trump do të shprehë me siguri qëndrimin e tij gjatë nënshkrimit në Bruksel të një deklarate të re të përbashkët për bashkëpunimin BE-NATO./atsh