Hapet “diga” e abuzimeve
Ndërsa ka nisur e po vazhdon vetingu për gjyqtarë e prokurorë, në administratë dhe shërbimet publike, po bëhet batërdi abuzimesh me tenderët, që janë të ardhura nga çmimet, shërbimet, taksat, gjobat dhe detyrimet e tjera që paguan populli në shtet!
Një batërdi e tillë, zbulohet në letrat zyrtare të një tenderi “çmendarak”, të shpallur prej Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Me këtë tender, drejtuesit e OSHEE po tregojnë se i ka kapur “Treafazori” i korrupsionit, për shkak të vlerës financiare të madhe, për një shërbim që dihet se sa kushton për 1 njësi dhe me shumicë si në rastin konkret që po e porosit OSHEE!
Tenderi që ka përlllogaritur komisioni i OSHEE dhe që është shpallur me firmë e vulë të drejtorit të “shtyllës” së këtij shërbimi shtetëror, kap vlerën 714 milionë lekë pa 20%-shin TVSH, ose 890 milionë lekë me gjithë TVSH!
Kjo vlerë e madhe financiare, do të jepet për blerje të shërbimit të internetit për OSHEE. Sipas njoftimit të shpallur, tenderi do të zhvillohet në datën 13 qershor 2018, ora 14.00, me qëllim që ajo ditë pune e drejtorit dhe komisionit, të mbyllet me këtë tender që kushton sa ndërtimi i një shkolle për 500 nxënës.
Ekspertë të institucioneve të tjera shtetërore, që merren me “punët” e tenderave në blerje shërbimi interneti, thonë se kjo është një pagesë financiare tepër e madhe, që të krijon bindjen e plotë, se “agallarët” që na shesin energjinë elektrike 2-3 herë më shtrenjtë se në vendet e BE, kanë hapur “digën” e abuzimit jo “për të pikuar”, por “për të rrjedhur” zhvatja!
Kjo batërdi bëhet prej tyre me lekët e shitjes me çmim të lartë dhe kamatvonesave po të larta, kur akoma janë në burg e ndjekje penale 457 kryefamiljarë familjesh në ekstrem varfërie. Në OSHEE bëhen tendera babëzie, kur 53 mijë familjeve invalidësh, jetimësh e të sëmurësh mendorë, u zhvatet kamatvonesa sipas përqindjes së vlerës së shtuar në çdo muaj vonesë, për shkak të mos pagimit të faturave.
Në OSHEE “lëshon fijet” e tenderëve korruptivë, ndërsa 91 mijë familjeve në varfëri ekstreme, u është ndërprerë energjia elektike në banesat dhe kasollet ku jetojnë!
Ja njoftimi i OSHEE për tenderin
- Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: OSHEE sh.a, Adresa Bulevardi “Gjergj Fishta”, Ndërtesa Nr. 88, H.1, Njësia Administrative Nr.7, 1023, Tiranë., Tel/Fax 042274185
Lloji i procedurës se prokurimit: “E hapur-sherbime” me mjete elektronike.
Objekti i kontratës: “Sherbimi i Internetit”
Numri i referencës së procedurës: REF-69903-05-18-2018
Fondi limit: 74,040,000 (shtatedhjete e kater milion e dyzet mije) leke pa tvsh.
Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin: me afat 3-vjecar.
Afati kohor për dorëzimin e ofertave, ose kërkesave për pjesëmarrje: Data 13. 06. 2018, ora 14:00./Pamfleti/