Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga transformimi që i është bërë spitalit rajonal të Vlorës.
Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Rama ka zgjedhur të kujtojë përmes pamjeve të videos se si ka qenë gjendja e spitalit para investimeve të kryera.
Sipas tij, kushdo ka të drejtën të ankohet, por qeveria po punon me projekte të reja për përmirësimin e infrastrukturës spitalore.
“Patjetër që kush ankohet nga spitalet tona ka gjithë të drejtën ta bëjë, sepse shumë mangësi e probleme ka akoma, po sikur nuk është keq fare që ta kujtojmë edhe ku ishim katër vjet e gjysëm më parë, se jo për gjë, po e kuptojmë shumë mirë se sa shumë akoma mund të bëjmë së bashku në vijim”, shkruan Rama.
Por, cilat janë investimet që kanë transformuar spitalin rajonal të Vlorës?
Në video renditen investimet e kryera në disa sektorë, ndërsa në vijim do të nisin projekte të reja për rehabilitimin e Urgjencës, rehabilitimin e reaminacionit qendror, rindërtimin e poliklinikës së Vlorës. “Kemi ende shumë për të bërë. Puna vazhdon”, thotë ai.
“Ambiente të reja pritëse për qytetarët, monitorë dhe pajisje të reja në urgjencë, investime në vlerën e 600 mijë euro në aparatura të teknologjisë së lartë, mamografi e re, grafi e re. Nga ekzaminimet nga aparaturat e reja përfitojnë 9182 pacientë. Ka pajisje të reja në sallat operatore, aparatura të reja në reaminacion, inkubatorë të levizshëm, inkubatorë të rinj për maternitetin, laboratori i ri (4-fishohen llojet e analizave); investime në pediatri- 3745 fëmijë përfitojnë shërbime në cilësi dhe infrastrukturë moderne, reduktohen infeksionet spitalore (sterilizim me standarde europiane për 1500 ndërhyrje në vit), shërbim modern hemodialize”, janë disa nga investimet e kryera në këtë spital./atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155944280641523/?t=0