Transformimi mjedisor përmes investimeve që lidhen me ujërat e zeza dhe përpunimin e mbetjeve do ta shndërrojë gjithë zonën kryesore turistike në një pasqyrë të pastërtisë dhe bukurisë së vendit.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama , gjatë përurimit të impiantit të përpunimit të ujërave në Vlorë.
Kryeministri informoi se “zgjatimi i gjithë procesit të transformimit infrastrukturor nëntokësor do të vijojë në Orikum, ku në 2-3 muajt e ardhshëm do të vihet përfundimisht në punë impianti i përpunimit të ujërave të zeza”.
“Bashkë me investimet që do të bëjmë në ujësjellësa e kanalizime për gjithë zonën e bregdetit nga Shëngjini deri në Ksamil dhe me investimet e mëtejshme në energji për gjithë zonën e bregdetit do t’i përgjigjemi në mënyrë adekuate nevojës në rritje për shërbim më cilësor turistik dhe rritjes në mënyrë progresive të turistëve në Shqipëri”, tha Rama.
Kjo sipas tij, “është një vëmendje e vazhdueshme qysh prej fillimit edhe në vazhdim të mandatit tonë të dytë qeverisës”./atsh