Pasuria kryesore e Shqipërisë është folklori muzikor, por ka edhe krom edhe naftë”, është pak a shumë kështu përshtypja e studiuesve të huaj që shkelën në Shqipëri gjatë shekullit të XVIII-XIX.
Gjurmët e lashtësisë së muzikës folklorike shqiptare janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë përfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj.
Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur , çka dhe shprehet në ekzistencën e muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri tek shumëzërëshi; në muzikën me vegla popullore; muzikën me zë e vegla; muzikën për shoqërimin e valleve popullore, etj.
Lumi i Shkumbinit, që përshkon mes për mes Shqipërinë, përvecse ndan dy dialektet kryesore të vendit në Gegë në Veri të Shkumbinit dhe në Toskë në Jug të Shkumbinit, ndan edhe tipologjitë muzikorë. Nga njëra anë Çiftelia e Lahuta e Veriut nga ana tjetër e Shukbinit Iso- polifonia e Jugut.
Një album fotograik I vitit 1976 përcjell grupe muzikore folklorike nga krahina të ndryshme në Shqipëri. Autorë të këtij albumi janë etnografi shumë i njohur Rrok Zojzi, i cili në ndërmarrjen e tij shumë interesante është mbështetur si bashkëautorë nga Abaz Dojaka dhe Hasan Qatipi dhe si fotografë nga Halit Gjiriti dhe Nikolin Baba. Albumi ka qenë një nga materialet publicitare të asaj kohe dhe është shpërndarë edhe jashtë vendit. Ai është botuar i shoqëruar me shënime në shqip, anglisht dhe frëngjisht./27.al