Loading...

Llogaraja, rrugëkalimi i turizmit të jugut me startin më të lartë këtë verë/Foto

Llogaraja, e vizitueshme në çdo stinë të vitit, këtë stinë verore ka një start optimist përsa i përket vizitorëve turistik. Ky është informacioni që vjen nga AdZM e Vlorës që administron këtë park  dhe prurjet turistike rriten çdo ditë me një shifër që kap qindra vizitor tranzit drejt plazheve të jugut,por dhe pushues që stacionohen aty për disa ditë.

Parku Kombëtar i Llogarasë ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në një distancë prej 40 km.

Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2,018 metra mbi nivelin e detit.

Janë disa fshatra turistik që shtrihen në këtë territor si Palasa, Dhërmi,Vuno etj, që bëhen mjaftë të populluar gjatë stinës së verës.

Por, Llogaraja vizitohet në të katër stinët e vitit sepse është një rrugëkalim që lidh Vlorën me jugun e saj deri në Sarandë. Vetëm për vitin 2017, këtë park e kanë vizituar mbi 80 mijë  turistë vendas e të huaj, sipas statistikave të AdZM-së Vlorë, që menaxhon këtë park, duke menduar se këtë vit numri I vizitorëve mund të rritet me disa përqind më shumë shprehen administratorët e parkut.

Bregdeti  që shtrihet në këtë gjatësi është nga më të bukurit dhe piktoreskët në vendin tonë.

Veç të tjerash, Parku i Llogarasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh.

Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare.

Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve verore  e dimërore si ngjitje në lartësi, ecje në natyrë, njohje me historinë dhe me monumentet e natyrës dhe të kulturës, por së fundmi edhe për sporte ajrore ku në shpatin e malit që shikon nga deti është përshtatur një pistë fluturimi për amatorët dhe profesionistët e fluturimeve me mjete të ndryshme sportive.

Pas zbritjes së Qafës së Llogarasë, nga një rrugë me parametra bashkëkohorë, do të ndeshni plazhet e para të Rivierës Shqiptare, të cilat shquhen për cilësinë shumë të lartë të ujërave detare.

Ato fillojnë me Dhraleon e Palasës dhe më pas plazhet e Dhërmiut, Llamanit, Plazhi i Gjipesë që  shquhet për bukuri të rrallë pasi shtrihet rrëzë një kanioni afro 70 metra të lartë.

Pranë Dhërmiut ndodhet edhe shpella detare e “Piratëve”.

Ndërsa në fshat mund të vizitohet  kishat e Shën Mitrit dhe Shën Stefanit.

E gjithë vija bregdetare nga Llogaraja deri në Lukovë,ka plazhe mjaftë interesantë dhe një shërbim cilësor hotelerie dhe kulinarie. Një kujdes të veçantë i është kushtuar këtij parku edhe për biodiversitetin e tij.

Vitin që shkoi, në kuadër të projektit NaturAl, mbi identifikimin e zonave potenciale për të qenë pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura në Europë, një grup zoologësh, i përbërë nga Michela Pacifici, Enerit Sacdanaku dhe specialistë shqiptarë,  bënë  investigimin e gjallesave në këtë park.

U realizua montimi i kamerave kurth, të ngritura nga specialistët e natyrës, me qëllim inventarizimin dhe monitorimin e faunës.

Në Parkun Kombëtar të Llogarasë ka dhe  një godinë ku janë ekspozuar  historia dhe arritjet e këtij parku.

Ky park është kthyer në një atraksion turistik tepër të vizitueshëm nga turistët vendas dhe të huaj.

Jo vetëm nga natyra e bukur ku mund të shijosh edhe qëndrimin në mal, por edhe atë në det, një vend që i përfaqëson të dyja klimat, malore dhe detare, por tani së fundmi, në park mund të vëzhgosh dhe specie të ndryshme kafshësh e shpendësh  të egra.

Turizmi i vëzhgimit po kthehet në prioritar edhe në parkun e Llogarasë.

Gastronomia krahinore është një tjetër kënaqësi për ata që drekojnë apo rrinë më gjatë në ambientet turistike të Llogarasë. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com