Nga Dr. Hasan Bello, historian
Në verën e vitit 1921 shoqëria Metodiste amerikane për të zgjeruar veprimtarinë e saj misionare në rajonin e Ballkanit dërgoi në Shqipëri prof.Elmer E.Jones. Ai kishte si detyrë të hartonte një raport mbi gjendjen arsimore të Shqipërisë dhe të propozonte ngritjen e institucioneve arsimore amerikane. Në mesin e nëntorit 1921 prof.Jones dorëzoi pranë drejtuesve të Bordit të Misionerëve të Jashtëm në New York raportin e detajuar. Por shuma financiare që nevojitej për zbatimin e propozimeve që parashtronte prof.Jones nuk ishte e lehtë për t`u siguruar. Megjithatë Bordi organizoi disa konferenca në qytete të ndryshme të Amerikës ku i shpjegoi besimtarëve rëndësinë e hapjes së një Universiteti Amerikan në Vlorë. Kjo do ta forconte e zgjeronte akoma më shumë aktivitetin e misionit ungjillizues në Shqipëri, duke e kthyer atë në qendër të aktivitetit të tyre fetarë për të gjith Ballkanin. Në konferencat e mbajtuara në Filadelfia, Bordi arriti të mblidhte rreth 50.000 dollarë, të cilat do të përdoreshin për hapjen dhe mbajtjen e Univeristetit Amerikan të Vlorës.
Prof.Jones kërkonte nga prefektura e Vlorës dhe qeveria shqiptare dhënien e truallit për ngritjen e universitetit. Ai propozonte si vende më të përshtatshme hapësirën e spitalit, truallin ku ndodheshin ish-kazermat e ushtrisë italiane dhe fushën e aviacionit. Ndërkoh që e njoftonte këtë prefekturë se së shpejti në Shqipëri do të vinte Peshkop Blake, një nga drejtuesit kryesor të misionit në New York dhe rektori i universitetit, të cilët do të zhvillonin takime me drejtuesit lokal. Më pas ata do të takoheshin me drejtuesit e qeverisë në për të nënshkruar marrëveshjetzyrtare për dhënien e truallit dhe hapjen e universitetit. Prof.Jones shkruante se në fillim do të vinin 6 profesorë amerikanë me familjet e tyre dhe me zgjerimin e procesit mësimorë numri i tyre do të rritej. Ai falenderonte prefektin Qazim Koculin, duke vlerësuar virtytet e kombit shqiptar, dhe bashkëshorten e tij, e cila para se të largohej drejt Amerikës i kishte qëndisur prof.Jones një flamur shqiptar.
Por ëndërra amerikane për të hapur një universitet në Vlorë, për arsye që ende nuk i dimë, përfundoi këtu. Ndoshta destabiliteti i shtetit shqiptar në këtë periudhë nuk ishte një element favorizues për të bindur drejtuesit e Bordit për këtë invenstim./faktor.al