Loading...

Shqipëria e viteve 1981 – 1991 në fokusin e Michel Setboun në COD

Për herë të parë 99 foto nga Shqipëria e viteve 1981 – 1991 vijnë për publikun kryeqytetas në COD.

Këto imazhe do shfaqjen në ekspozitën fotografike të Michel Setboun të titulluar “Fundi. Fillimi Shqipëria 1981 – 1991” për publikun, më 6 korrik 2018.

Në hapësirat e COD, Setboun sjell për herë të parë fotot në dimensione të mesme e të mëdha si imazhe emblematike që kanë në thelb kujtesën e dokumentimin, diakroninë përgjatë një dekade dramatike, të mbushur me ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë e shqiptarëve.

Brendia e kësaj ekspozite në retrospektivë ndalet në kontraste të fuqishme, tablo të gjalla që kanë në fokus të objektivit Shqipërinë e pas ’80-ës me demagogjinë, pankartat a parullat me gurë, paradat komuniste, bunkerët e kudo gjendur, ngrehinat e kultit të shndërruara në salla teatri, kafene, shtëpi kulture a të braktisura, varfërinë ekonomike, shtypjen politike e shoqërore gjatë periudhës së autarkisë, figurën e gruas shqiptare, fëmijë dhe nxënës të shkollave dhe jo vetëm.

Për Setboun janë po kaq tronditëse momentet e Shqipërisë në pikënisjet të viteve ’90, (aso kohe kur po zhbëhej regjimi komunist), janë foto që flasin për eksodin shqiptar dhe anijet e tejmbushura në portin e Durrësit, pritjen e Nënë Terezës, humanistes shqiptare në shtetin amë, ringjalljen e fesë, rihapjen e kulteve fetare, zgjedhjet e para pluraliste, zbulimin dhe përballjen me kapitalizmin, gjendjen tronditëse në qendrat e fëmijëve me aftësi të kufizuar, dasmat dhe shumë aspekte të tjera të përditshmërisë së jetës shqiptare.

Ndërkaq, Michel Setboun, konsiderohet si një ndër fotoreporterët më të rëndësishëm ndërkombëtarë për Shqipërinë dhe një nga dokumentuesit më këmbëngulës të historisë së Shqipërisë nga viti 1981 e në vazhdim, pasi mbetet thuajse i vetmi fotograf i huaj, i cili ka mbërthyer me aparatin e tij, si askush tjetër e në mënyrë të vazhdueshme, gjatë gati katër dekadave të fundit gjithë zhvillimin politik, shoqëror dhe kulturor të vendit skaj më skaj. Arkivi fotografik mbi Shqipërinë ka mijëra fotografi dhe është i një rëndësie të veçantë, si historike ashtu edhe artistike.

Ekspozita do qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator./atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com