Loading...

Sistemi “Babale” dhe 4 pushtetet e “sëmura” pjella të tij

Cila është ana “Babale”? Ana “babale” e tij janë “qyfyret” dhe “batutat”, janë milionat e shpërdoruara nga administratat që KLSH i di më  mirë numrin ekzakt, janë administratat e mbushura me militantë partie, janë “procedimet” penale që i bëhen drejtorëve dhe biznesmenëve  në organet e drejtësisë që siç thuhet “U shkrofshin e mos u këndofshin”!
Shkruan Pandeli Bardhi

Nuk është vetëm ajo që këtu, çdo gjë thuhet me të kundërtën e vet dhe jo vetëm kaq, por gjithçka funksionon ashtu si thuhet, pra në të kundërt. Kur them “Sistemi Babale” është e  kundërta e sistemit demokratik. Babale është “sozia” e Albertit, i cili   nuk mendon e vepron si Albert, por mendon e vepron si Babale. Kështu funksionon edhe sistemi, i cili në fillimet e rënies së sistemit të kaluar, që me të drejtë askush nuk e dëshiron, por nuk e dëshirojnë as këtë sistem “Babale”! Këtë çdokush e vërteton me qindra e mijëra fakte që duken si drita e diellit.

Nuk mund të quhet sistem demokratik, një sistem që nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë. Prona private, është një nga shtyllat e demokracisë. Përderisa kjo pronë është bërë “lëmsh” dhe asnjë cm nuk ka shkuar tek ai që i takon, çfarë besimi mund të ketë qytetari apo të gëzohet që shpëtoi nga sistemi i Diktaturës? Për të mos u zgjatur le t’i marrim një nga një pushtetet “Babale” që mbajnë “shtrirë” këtë sistem sepse “në këmbë” ky sistem  nuk është!

Marrim pushtetin e parë, atë legjislativ. Kreun e tij Parlamentin,  gjithçka mund t’i thuash por vetëm pushtet i parë nuk është dhe nuk qëndron në krye, por nuk është as në fund! Atje nuk hartohen ligje  e të jetë shembull për të gjitha pushtetet e tjera, por është një Organ ku “fabrikohen” vetëm shpifje, ku “prodhohet” vetëm baltë! Antarët e këtij Organi  nuk janë deputetë, por “komplotistë” që “punësojnë” edhe i hapin punë edhe Organit gjyqësor me “komplotet” që kurdisin njëri kundër tjetrit, me lidhjet që kanë me krimin brenda apo jashtë vendit, me akuzat që i bëjnë njëri tjetrit si “kriminel”, “trafikant prostitutash”, “trafikant lëndësh narkotike”, “i korruptuar deri në palcë”, “pijanec”, “drogaxhi”, etj., etj.

Kush është në gjendje të thotë që i vjen rradha qytetarit të thjeshtë t’i zgjidhi hallin e pronës e të pasurisë së tij nga  ky sistem drejtësie i tipit “babale”? Akuzat që antarët e Organit Legjislativ i bëjnë njëri tjetrit, shqyrtohen me përparësi, kurse ato të qytetarëve   shqyrtohen për disa pesë vjeçarë! Nuk do të marr shumë ligje që i bëjnë në mënyrë “babale” këta farë “baba(le)llarë” të Kombit, por po marr vetën njërin prej tyre që pak a shumë është kështu: Nëqoftëse kërkon të marrësh pronën me “procedurë të përshpejtuar”, do të marrsh vetëm njëzet apo tridhjetë përqind të saj, n.q.s nuk e do me këtë formë, do ta marrësh atë kur të të vijë rradha.

Kjo, përkthehet kështu: “Po e kërkon pronën me procedurë të përshpejtuar do ta marrësh për tre vite vetëm një pjesë të saj, kurse shumicën, do ta marrin hajdutët! Nëqoftëse nuk e do në mënyrë të përshpejtuar do ta marrësh kur të kesh zënë një “qoshe” në kodrat e Sharrës dhe do të të “qajnë hallin” vetëm krimbat mbasi të të jenë gërryer edhe kockat, qytetarët  e thjeshtë që kërkojnë pronat e tyre, ta zëmë që një pronë që njëri prej tyre kërkon bën 3 milionë euro ai ka dhënë 5 milionë dhe përsëri pronën mbas tridhjetë vitesh nuk e merr.

Qytetarit do t’i duhet të paguajë edhe sekserët, edhe avokatët edhe prokurorët e më në fund gjykatësit që i japin fund “thesit” me para! Antarët e legjislativit  janë bërë edhe “ringje  boksi” ku disa “gladiatorë” opozitarë të tipit Klevis e Muli marrin nën mbrojtje një “Ba(bale)shë që atje në këtë Parlament  ka  zbuluar një “lodër” të re, mikrofonin e foltores!

Më mirë të mos i marrim të gjitha “mbarësitë” e Parlamentit dhe të shkojmë të hedhim një sy tek Pushteti i dytë, Ekzekutivi. Edhe ky pushtet  është pushteti i “qyfyreve” dhe i “batutave”! E vërteta është që ky pushtet, si objektiv ka rritjen e mirëqenies, zbatimin e ligjeve dhe vënien  nën kontroll të çdo biznesi, e çdo administrate e çdo institucioni etj., etj., që të gjithë i dinë mirë. Kjo është detyra e tij dhe ky, është funksioni i tij. Kurse në të vërtetë, duke mos funksionuar si i tillë, funksionon vetëm ana “babale” e tij.

Cila është ana “Babale”? Ana “babale” e tij janë “qyfyret” dhe “batutat”, janë milionat e shpërdoruara nga administratat që KLSH i di më  mirë numrin ekzakt, janë administratat e mbushura me militantë partie, janë “procedimet” penale që i bëhen drejtorëve dhe biznesmenëve  në organet e drejtësisë që siç thuhet “U shkrofshin e mos u këndofshin”!

Po çfarë mund të bëjë kjo drejtësi kur të gjithë kanë “zënë vetveten” dhe merakun e vetëm kanë si të fshehin pasuritë e tyre dhe jo të merren me vjedhjet e të tjerëve? Kemi të bëjmë me një administratë të korruptuar deri në gen. Ky korrupsion fillon qysh tek ai që ka në dorë 0,4 lek që është një fatorino autobusi, i cili u thotë pasagjerëve: “ Kur të zbrisni, do të m’i ktheni prapë biletat” e deri tek ata që bëjnë tenderat me miliona e miliona lekë apo euro sepse atje lart i kanë harruar edhe ngjyrën edhe vlerën lekëve shqiptare! Kontrolli i administratës së ekzekutivit mungon jo “pothuaj”, por krejtësisht.

Nuk ka kontroll as se çfarë hyn e del në dogana, as nëse bizneset e mëdha janë të licensuara dhe paguajnë  apo jo detyrimet, as se çfarë konsumohet nga qytetarët etj., etj. Kur është fjala për rrugë e ujë për qytetarët, për investime etj., këto janë harruar!  Bizneset e mëdha nuk kontrollohen sepse ato mbajnë në këmbë pushtetin ekzekutiv, kurse të mesmet, apo të voglat, gjobiten për të paguar pensionet e “majme” të qytetarëve. A nuk shihet që çdo ditë e çdo orë falimentojnë biznese të vogla e të mesme dhe kthehen në kafene?

Vetëm pushteti i “kafeneve” këtu nuk njeh  krizë, ai lulëzon dhe është “i gatshëm” të zëvendësojë çdo biznes!  Kafenetë  punojnë e funksionojnë “non stop” gjatë njëzet e katër orëve. Kryeministri njofton edhe  numrin e llogarisë për të dhënë para për ata lojtarë që u gjobitën nga FIFA. Nuk e bën këtë për ata fëmijë që vuajnë nga sëmundjet e të vijnë në jetë, por, për ata që merren me “glasat” e Shqiponjës, sepse vetë Shqiponja  është fitorja, janë golat, kurse ata merren me “glasat”! Kështu ne  kemi kohë që merremi jo me të mirat e Shqiponjës, por me “glasat” e saj.

Kjo është puna e tyre po kryeministri ç’punë ka në këtë mesele, sepse ka shumë të tjera që ai duhet të merret përpara se të merret me atë që nuk i takon. SHISH apo Shërbimi Informativ shtetëror, është të themi “syri dhe veshi” i shtetit. Si mund të themi që ky shërbim i rëndësishëm për funksionimin e shtetit zbaton ligjet kur sekretin shtetëror e dërgon jo atje ku duhet por tek Basha, një “bebe” që ky e përdor për interesat e tij? Herë e adreson këtë të dhënë tek Balla, herë tek Kullat e Veliajt, e herë tek grupet e bandave në Elbasan.

Nejse kjo është temë tjetër por pse ndodh kështu? Kjo ndodh sepse është një kryetar shteti që nuk e do shtetin e vet, që nxit prapësitë kundër shtetit të vet. Pse ai nuk e dekreton kryetarin e këtij institucioni që edhe aty  të bëhet reformë e thellë e rrënjësore, por e ka lënë këtë shërbim në dorën e “mbeturinave” të Gazidedes, që e “përqeshin” këtë shërbim në mënyrën më të shëmtuar? Kështu punon ky kryetar shteti, me “qetësi e dashuri e plot tigani” kundër shtetit të vet!

Edhe me drejtësinë si kryetar i saj, me “qetësi e dashuri” që dihet ku është katandisur ky pushtet. Njërën dorë kryetari e mban në “revani” e tjetrën në “bakllava”, “grurë” edhe me opozitën, por  edhe me mazhorancën, nuk do që ta prishi!  Çfarë faji ka Basha që në fund të fundit, aq di, aq bën? Kryetari i shtetit  e di që ai edhe për orën të gënjen e jo më pastaj të mos llomotisë për sekretet shtetërore!

Që të mos na fillojnë “dhimbjet e kokës” shkojmë tek pushteti i tretë, ai gjyqësor. Më mirë të mos flasim për këtë pushtet qesharak, se si gjyqtarë e prokurorë nuk luftojnë krimin e korrupsionin, por e stimulojnë atë. Por, edhe sikur t’i lëmë mënjanë të gjitha “qyfyret” e këtij pushteti “qyfyr”, a nuk është e mjaftueshme ajo që vidhen edhe dosjet e organit të akuzës?

A nuk është e mjaftueshme ajo që atë që nuk e bën vetingu, e bëjnë hajdutët e rrugës? Pse të  mos themi që hajdutët  bëjnë “mirë” kur  vjedhin   shtëpitë e gjyqtarëve e  prokurorëve, të cilët bëjnë atë që nuk e bën Vetingu? A nuk është e mjaftueshme ajo që prokurorë e gjyqtarë  nuk deklarojnë shumat që u vjedhin për të mos u dalë “sekreti”? Të gjitha të tjerat  dihen. Por a ka gjyqtarë e prokurorë të ndershëm që punojnë me përkushtim? Ka sa të duash, por e keqja është që këta janë “Alberta” dhe që të “hanë bukë” në këtë sistem, duhet të jenë “babale”!

Të vijmë tek pushteti i katërt apo i medias. Është pak t’i thuhet “kazan” dhe pak është edhe ta quajmë të mbushur me “mbeturina”! Në këtë pushtet  “gëlojnë” militantë, gazetarë të paaftë e ordinerë dhe pronarë milionerë. Dikur, në Sistemin e Diktaturës, media e   shkruar dhe ajo vizive pasqyronte vetëm anët pozitive dhe çdo gjë, ai sistem vetëm e “zbardhte” dhe e zbukuronte.

Ky “kazani” i sotëm, i vendosur në “tymin” e politikës, vetëm nxin dhe kurrsesi nuk mund të duket ndonjë pjesë e “bardhë”! U kapën në Durrës një sasi eurosh.  Sapo morën njoftimin  vrapuan  “kazanët” të gjenin “kapakët” e tyre të politikës. Shuma e saktë  akoma nuk dihet. Njëra media bënte fjalë për “katër thasë me euro”, tjetra thotë që ishin 1.5 milionë euro, tjetra 5 milionë, një tjetër 3.5 milionë, një tjetër 3 milionë.

“Zinxhiri më pas vazhdon me “sejmenët” e tyre, analistët që edhe këta  “punësohen” e duan të nxjerrin “bukën” e ditës!  Asnjë emër i saktë, asnjë e dhënë e saktë, asnjë informacion i saktë por vetëm “roma për toma”! Komodë ndihen vetëm kur bëjnë komentet për sportin! Disa nga media e shkruar vetëm nxijnë e nxijnë, disa të tjera u bëjnë jehonë këshillave “Kejdiste” e shumë të tjera shërbejnë si “tribuna” të politikanëve që edhe të vrarët  i bëjnë me “këmbë e me duar” e i dërgojnë ata në “dyert” e kundërshtarëve!

Vrau veten apo e vranë shoferin e ministrit të Brendshëm, këtë le ta gjejnë ata që janë kompetentë. Por, më “kompetentë” se kompetentët bëhen politikanët dhe shërbëtorët e tyre të medias! “Mbeturinat” e “kazanit” nuk presin të flasin ata që janë kompetentë, por menjëherë vihen në rolin e hetuesit, të prokurorit, të gjykatësit të ekspertëve shkencorë dhe e gjejnë në moment edhe shkakun!

O zot, sa poshtë kemi rënë!  Spekulojnë këta farë politikanësh edhe me fatkeqësitë, edhe me tragjeditë, edhe me ato që “nxijnë” vendin, për të “zbardhur” “histerinë” e tyre! A është ky, faji i “pjellave”? Jo dhe jo! Faji është i atij që i “pjell” i “nënës” Sistem, që u nis për “demokratik” dhe po aty e ndryshoi “rrjedhën” e shkoi në krahun e  “Babales”!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com