Kryetarja e Gjykatës Supreme të Polonisë është paraqitur mëngjesin e së mërkurës në punë e shoqëruar nga qindra mbështetës, duke dalë hapur kundër ligjit të diskutueshëm që detyron dhjetra gjyqtarë të lartë që të dalin në pension të parakohshëm.
Shefja e Drejtësisë, Malgorzata Gersdorf, 65 vjeç, i ishte thënë të largohej mesnatën e së martës dhe një zëvendësim ishte emëruar. Ajo e ka cilësuar reformën që kërkon që gjyqtarët të dalin në pension në moshën 65 vjeç në vend të 70, një “spastrim“.
Kryeministri i Polonisë mbrojti vendimet e qeverisë së tij për të imponuar ndryshime.
“Çdo vend i BE ka të drejtën të zhvillojë sistemin e tij gjyqësor sipas traditave të veta“, tha Mateusz Morawiecki në një fjalim në Parlamentin Evropian të mërkurën.
Deri në 40% të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme pritet të largohen, si pjesë e ndryshimeve që qeveria argumenton se do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit me zëvendësimin e gjyqtarëve që datojnë në një epokë komuniste që u rrëzua në vitin 1989.
Të hënën, Bashkimi Evropian filloi veprim ligjor kundër qeverisë së krahut të djathtë të Polonisë, duke thënë se ligji dëmtoi pavarësinë e gjyqësorit.
“Në qoftë se ekziston një kërcënim sistematik për sundimin e ligjit, ne nuk mund të bëjmë një sy të verbër,” tha komisioneri i BE Valdis Dombrovskis. “Nuk mund të themi se thjesht kjo është një çështje kombëtare“.
Nuk munguan dhe protestat në disa qytete polake të martën vonë, duke përfshirë atë jashtë Gjykatës së Lartë në Varshavë.
Turmat u kthyen të mërkurën në mëngjes për të përshëndetur Prof Gersdorf gjatë mbërritjes së saj një gjykatë, shkruan BBC. Një numër kolegësh gjithashtu e mirëpritën atë ndërsa ajo iu drejtua protestuesve në hyrje, duke u zotuar për të mbrojtur sundimin e ligjit. (TemA TV)