Fqinji ynë Italia po i tregon “dhëmbët” mafias, sëpaku përmes deklaratave të forta të ministrave të kabinetit të ri qeveritar.
Numri dy i qeverisë italiane dhe ministri i Brendshëm Matteo Salvini ka gjetur një mënyrë origjinale për t’i shpallur luftë malavitas në këtë vend.
Pavarësisht se ka tmerruar vendet aleate të BE me deklaratat e tij radikale kundër emigracionit, këtë herë ka vendosur t’i fusë “tmerrin” mafias në Itali.
Kështu, ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, është shfaqur sot në një pozicion si kurrë më parë dhe ka folur me tone të ashpra siç nuk ishte dëgjuar asnjëherë.
Ai i ka përcjellë një mesazh të fortë mafias, teksa e ka kërcënuar se i ka orët e numëruara, duke shtuar se do t’a shkatërrojë atë nga themeli.
Për të bërë sa më konkret dhe të besuar mesazhin e tij, ministri Salvini u shfaq i veshur me një kostum banjoje, duke u larë në pishinën e një shoqërie bujqësore në komunën Monteroni d’Arbia në provincën e Sienës, ish-pronë e një mafiozi dhe e sekuestruar nga shteti italian.
“Ju mafiozë e skafistë jeni i njëjti m*t. E ju skafistë e mafiozë i keni orët e numëruara, pasi ne po mbrojmë kufijtë tanë e ju nuk do keni më biznes”, ka thënë Salvini për mediat.
Simbolika e tij ishte për t’u admiruar, pavarësisht se sa seriozisht e kishte ministri i Brendshëm italian Salvini kërcënimin e tij kundër mafias.
Kërcënim, i cili më shumë ishte për skafistët shqiptarë, se sa për mafian italiane.
Dhe teksa njihesh me qëndrimin e numrit dy të qeverisë italiane, njëherësh dhe ministër i Brendshëm Salvini, mendja të shkon tek Shqipëria.
Në Shqipëri mes pasurive të sekuestruara të trafikantëve të drogës dhe njerëzve të krimit është dhe resorti turistik i Klemend Balilit në Sarandë, “Santa Quaranta”.
Klemend Balili, i mbiquajturi “Eskobari i Ballkanit” është shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të drogërave të forta.
Ndërkohë Balili ka qënë zyrtar dhe partiak i LSI dhe miku i ngushtë i Ilir Metës, i cili veç të tjerave ka bërë dhe sponsorizime për LSI në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale.
Dhe në këtë kontekst, tek sheh simbolikën e ministrit të Brendshëm italian Salvini në mesazhin kundër mafias, mendja të shkon të homologu i tij në Shqipëri.
E mendon ndonjë shqiptar ministrin tonë të Brendshëm Fatmir Xhafaj me rroba banjo duke u larë në pishinën e resortit turistik të sekuestruar të Klemend Balilit dhe duke i dërguar mesazh kërcënues mafias se do t’ia bëjë jetën “malore”?!
Ndoshta është guxim i tepërt për ta menduar një gjë të tillë, pasi kërcënimi ndaj mafias së drogës Meta-Balili pikërisht nga resorti turistik “Santa Quaranta” në Sarandë, i sekuestruar në bazë të ligjit anti mafia, do të shkaktonte vërtet tërmet politik.
Dhe i pari që do të reagonte dhe “kryqëzonte” Xhafajn do të ishte Ylli Manjani, ish ministri i Drejtësisë dhe “zari” personal i Ilir Metës, i cili ka përfituar banesë falas në Sarandë nga Balili.
Dhe Ministri ynë i Brendshëm me gjithë ato halle që ka mbi shpinë, as që e mendon imitimin e homologut të tij italian Salvini. Madje askush në Shqipëri nuk e mendon një gjë të tillë. Po “fjala mort nuk bën” thotë i moçmi…/Pamfleti
Fotot: ministri i Brendshëm italian Salvini, duke u larë në pishinën e sekuestruar të mafias ..