Sekretari amerikan i Shtetit Tillerson firmosi shpalljen e ish kryeprokurorit dhe familjes së tij si të padëshiruar në SHBA, për shkak të korrupsionit të theksuar
Nëse ka ndonjë zyrtar të lartë të shtetit që e ka dosjen hapur fare, të kopsitur dhe ku janë materializuar të gjitha abuzimet, ai është Adriatik Llalla, ish Prokuror i Përgjithshëm.
Provat dhe faktet janë të dokumentuara dhe të nxjerra në dritë të diellit nga ana e organeve ligjzbatuese amerikane.
Këto prova dhe fakte shërbyen për shtetin amerikan, me institucione të konsoliduara për qindra vite, për të shpallur ‘non grata’ në SHBA Adriatik Llallën, familjen e tij dhe më të afërmen në Prokurori, Rovena Gashin.
Aq e kopsitur ishte kjo dosje në ngarkim të Adriatik Llallës nga organet ligjzbatuese amerikane, sa ka mbërritur deri në zyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe është firmosur pa hezitim.
Madje nuk është ngurruar nga ana e DASH që pas firmosjes së aktit, të jepet dhe relacioni shpjegues se përse Adriatik Llalla dhe familja e tij e madhe shpallet e padëshiruar në SHBA.
Vendimi i bërë publik, thekson se, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.
Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të DASH, thuhet se “ligjet amerikane parshikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në SHBA.
Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht.
Përveç zotit Llalla, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane”.
Por, me gjithë këto fakte, prova dhe dokumente që provojnë qartë se dosja e Adriatik Llallës është e kopsitur, Prokuroria shqiptare nuk e dërgon dosjen në gjykatë për gjykim.
Kanë kaluar pesë muaj që kur është ngritur akuza dhe nga koha kur ka filluar hetimi në prokurorinë e Durrësit, konkretisht më 15 mars 2018.
Ndërkohë që tani hetimi po vijohet zyrtarisht të paktën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Adriatik Llalla, ish numri një i akuzës në Shqipëri, njeriu që kishte në dorë goditjen e kriminelëve dhe abuzuesve në të gjitha nivelet, hetohet për 4 akuza konkrete nga Prokuroria.
Dosja mban numrin 447 dhe veprat penale që rëndojnë mbi ish kryeprokurorin janë: Refuzim për deklarimin e pasurisë, mosdeklarimin e të ardhurave, fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurisë, mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi, pastrimi i produkteve të veprës penale(pastrim parash), si dhe shpërdorim detyre.
Ndër 4 akuzat, bie në sy ajo e kalimit në kufi të shumave monetare më shumë se sa e lejon ligji.
Aktualisht çdo shtetas duhet të deklarojë nëse ka me vete mbi 10 mijë euro, e në rastin në fjalë duket se Llalla ka patur më shumë se kaq.
Por nuk dihet ende zbulimi i kësaj shkeljeje, është bërë në Shqipëri apo në pikat kufitare të ndonjë shteti të huaj.
Llalla po ashtu është akuzuar edhe publikisht për pasuritë e shumta të krijuara në një kohë të shkurtër si dhe për transaksionet që ka kryer duke rritur vlerën e tyre, një mekanizëm ky i njohur në skemat e pastrimit të parave.
Objekt i hetimit do të jetë edhe shitja e një sipërfaqeje toke ullishtë prej 3 mijë metrash katrorë në Mjull të Bathores në Tiranë.
Sipas deklarimeve në ILDKPKI të Adriatik Llallës, ai e ka shitur këtë pronë duke përfituar 250 mijë euro.
Më 16 shkurt të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e vetingut për Llallën, ku pas një ‘kalvari’ ankesash, sërish Llalla mbeti jashtë Vettingut.
Llalla pati përplasje të shumta me ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu, të cilin ish kryeprokurori e akuzoi deri si të korruptuar dhe “sorosian”.
Po atë vit Departamenti Amerikan i Shtetit doli në një deklaratë publike, ku lajmëroi se SHBA-të ia kishin ndaluar hyrjen ish-Kryeprokurorit pasi dyshohej për afera korruptive.
Ndërkohë që duke parë rëndësinë e akuzave dhe në zbatimit të ligjit, dosja në ngarkim të Adriatik Llallës u transferua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Pak para transferimit të dosjes së Adriatik Llallës, Prokuroria e Krimeve të Rënda ndryshoi dhe drejtuesin kryesorë dhe tërë kupolën e saj.
U largua Besim Hajdarmataj nga drejtimi i kësaj prokurorie, për t’u zëvendësuar nga ish kreu i Prokurorisë së Durrësit, Donika Prela.
Çështja penale kundër Adriatik Llallës u transferua tek Krimet e Rënda, pasi akuza e Durrësit gjatë verifikimeve të kryera konstatoi shkelje ligjore, për sa i përket makinacioneve që Llalla ka kryer për rritjen e pasurisë së tij.
Në skenë kanë dalë emrat e shtetasve Gazmend Brahimaj dhe Edison Dushku.
Gazmend Brahimaj është instruktor kuajsh në një hipodrom privat në fshatin Qeha Shytaj dhe figuron si i punësuar në një spital privat me pagë 30 mijë lekë në muaj por që në fakt ka kryer transaksione prej dhjetra miliona lekësh me ish kryeprokurorin për shitblerje tokash.
Ndërsa Edison Dushku është një i burgosur, i cili figuron që të ketë kryer transaksione shitblerje ullishtash në periferi të Tiranës me ish Kryeprokurorin.
Adriatik Llalla në një rast ia ka blerë atij 3 000 metra katrorë për 1.5 milionë lekë për ta shitur më pas, pas pak kohësh, për një vlerë prej 250 mijë eurosh.
Të gjitha këto prova dhe fakte, shtuar dhe ato që kanë sjellë organet ligjzbatuese amerikane përbëjnë dhe bazën themelore për kopsitjen e dosjes së Llallës dhe dërgimin e saj në gjykatë.
Por kur kanë kaluar më shumë se 5 muaj nga fillimi i këtyre hetimeve më Durrës dhe tashmë në Krimet e Rënda në Tiranë, dosja në ngarkim të Llallës më shumë duket e “arkivuar”.
Nuk ka asnjë përpjekje për ta çuar atë në gjykatë, apo për të kërkuar dhe formalisht një urdhër arresti për Adriatik Llallën.
Akuza nuk është e vogël, mosjustifikim pasurie, transaksione bankare të pajustifikuara, kalim parash nga kufiri tokësor dhe mbi të gjitha pastrim parash.
Akuza të rënda dhe për një qytetar të thjeshtë e jo më për një njeri që ka qënë në krye të Prokurorisë shqiptare për pesë vite me radhë.
Ndërkohë që tashmë jo vetën që nuk po hetohet por as nuk dëgjohet të flitet më për abuzimet, pastrimin e parave dhe hetimin e Adriatik Llallës.
Ma sa duket të interesuar për mbylljen e kësaj dosjeje janë pikërish kupola politike në Shqipëri e përbërë nga Berisha, Meta, Rama dhe Basha.
Ndoshta nga frika që kanë ndaj Adriatik Llallës se mos ka ndonjë dosje të tyre nën “mëngë”./>Pamfleti