Ky vit, por edhe viti i ardhshëm pritet të shkaktojë furtunë dhe të sjell zhvillime në politikën dhe drejtësinë shqiptare. Para disa ditësh BE-ja vuri disa kushte për hapjen e negociatave qershorin e ardhshëm dhe institucionet që po nisin luftën anti-korrupsion janë duke u bërë gati, pjesë e së cilës është edhe ILDKPKI, i cili ka në dorë fatet e ministrave, deputetëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë të administratës.
Ky institucion ka nisur përgatitjet që vitin e ardhshëm të ketë gati sistemin online për pasuritë e funksionarëve.
“Inspektorati i Lartë më datë 3 tetor 2017, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me University Research Co. (URC), me mbështetjen financiare të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për ofrimin e asistencës në përgatitjen dhe ngritjen e sistemit elektronik të deklarimit të interesave private, i cili do t’i mundësojë ILDKPKI rritjen e efikasitetit në plotësimin, administrimin, kontrollin e pasurive, detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, si dhe publikimin e të dhënave në deklaratat e interesave private për konsultim nga publiku, media dhe shoqëria civile apo çdo palë tjetër të interesuar”, thuhet në dokument.
Në zbatim të këtij Memorandumi, gjatë periudhës tetor – dhjetor 2017, Inspektorati i Lartë u angazhua në përfundimin e termave të referencës, të nevojshme për zhvillimin e procedurave të prokurimit për pjesën e programimit të sistemit (softuare), pjesëmarrjen, së bashku me përfaqësues të URC dhe USAID, në komisionin e vlerësimit të ofertave për kompanitë që shfaqen interes për të zhvilluar këtë sistem, si dhe finalizimin e procedurës për përzgjedhjen e kompanisë fituese.
Pakti me BE
Sipas ”SOT” përveç bashkëpunimit me USAID, Inspektorati i Lartë vijoi bashkëpunimin e ngushtë me Këshillin e Europës për zbatimin e projektit “Horizontal Facility” të financuar nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës, ku një nga komponentët e lidhur me sistemin online të deklarimit, sigurimi i pajisjeve (harduare), do të mbështetet nga ky projekt. “Për këtë qellim, më 13 shtator 2017 Këshilli i Europës dhe ILDKPKI organizuan një tryezë të rrumbullakët, në të cilën ishin të ftuar institucionet kryesore vendase dhe partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë tryezës u parashtrua rëndësia e sistemit online, nevojat e identifikuara për zhvillimin e tij, si dhe u kërkua mbështetja e tyre e mëtejshme institucionale dhe financiare në këtë proces. Inspektorati i Lartë e vlerëson rëndësinë e kësaj iniciative, jo vetëm si përmbushje të detyrimit ligjor, por edhe si përmbushje të angazhimit të marrë në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015 – 2020 dhe Planit të saj të Veprimit, ku një nga objektivat parashikon specifikisht forcimin e regjimit të deklarimit dhe kontrollit të pasurive të zyrtarëve publike dhe rasteve të konfliktit të interesave nëpërmjet mundësimit të deklarimeve online të pasurisë për të gjithë subjektet deklaruese”, thuhet në dokument.