Sesionit parlamentar po i vjen fundi dhe Partia Socialiste është vënë në lëvizje për të miratuar sa më shpejt ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’i hapur rrugën Shkollës së Magjisraturës. Që nisma e propozuar të miratohet duhen 84 vota, numër ky që imponon një konsensus politik apo sigurimin e të paktën 7 votave individuale. Meqënëse LSI-ja është shprehur kundër këtij vendimi, maxhoranca ka hedhur sytë te Partia Demokratike.
Sipas ‘’Shqiptarja.com’’ burime pranë PD-së bëjnë me dije se janë të gatshëm ta votojnë këtë ligj me qëllimin e vetëm që PS-ja të pranojë 3 kushte:
1. Rikthimin dhe votimin e një nisme të propozuar nga demokratët për ndryshimin e nenit të Kushtetutës për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
Nisma e PD parashikon shkarkimin e Arta Markut dhe miratimin e një kryeprokurori të ri me 3/5 e votave.
- Largimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj,
Reforma zgjedhore, ku opozita kërkon aplikimin e numërimit dhe votimit elektronik.
Mbetet për t’u parë nëse Partia Socialiste do të pranojë ndonjë nga kushtet apo do të gjejnë një tjetër zgjidhje, atë të sigurimit të 84 votave, përmes disa votave individuale në radhët e partive opozitare.
Nisja e bisedimeve
Nisja e bisedimeve për miratimin e ndryshimeve në ligjin për statusin e magjistratëve u sinjalizua në fund të javës së kaluar nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. “Grupet parlamentare po negociojnë për këtë projektligj.
Unë do ta inkurajoj këtë bashkëpunim dhe nuk do të kërkoja thjeshtë numrat për të miratuar këtë ligj, por do të kërkoja dhe do të inkurajoja një konsensus të gjitha forcave politike parlamentare që ta miratojnë një orë dhe më parë këtë ndryshime për shkollën e magjistraturës”, u shpreh Ruçi.
Nga ana tjetër, edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka pohuar se “do të na duhet së bashku të reflektojmë thellë për hapat që duhen hedhur, për të ndryshuar thellësisht, për të marrë një kthesë themelore politikën dhe qeverisjen, për t’iu rikthyer në mënyrë të sigurt perspektivës evropiane”.
Emergjenca në gjyqësor
Gjyqësori shqiptar po kalon një situatë emergjence për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe kufizimit të mundësive për emërimin e gjyqtarëve të rinj. Pas mbylljes së gjykatës së parë dhe më të rëndësishmes në Shqipëri, Gjykatës Kushtetuese, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, edhe nëntë gjykata të tjera, kryesisht të shkallës së parë, janë në prag mbyllje.
Disa ditë më parë, gjatë një mbledhje të KLD është dhënë alarmi për mungesën e gjyqtarëve në gjykatat e Kavajës, Krujës, Lezhës, Kukësit, Gjykatën Administrative të Shkodrës, Gjykatën Administrative të Durrësit, Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë dhe Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë dhe për Gjykatën Administrative të Apelit, të cilat funksionojnë me një deri në dy gjyqtarë.