Një prej imazheve që ka shënuar këtë fushatë elektorale meksikane është çasti kur një kandidat për deputet është duke bërë një “selfie” me një simpantizante kur një burrë i mbështetur pas një muri, i maskuar me kapele, afrohet pranë tij nga pas dhe e qëllon me plumb në kokë.
Fernando Puron, kandidat i Partisë Revolucionare Institucionale (PRI), është një prej 136 politikanëve të vrarë që prej fillimit të procesit elektoral, sipas kabinetit të studimit “Etellekt”.
Fushata për zgjedhejt e përgjithshme që zhvillohen sot është më e përgjakshmja që ka njohur Meksika.
Në çastin e vdekjes së tij më 8 qershor, Puron, 43 vjeç, sapo kishte dalë nga një debat ku ishte angazhuar publikisht se do të luftonte kartelet e drogës, duke kujtuar përpjekjet që kishte zhvilluar kundër karteleve në shtetin e Coahuila ku kishte patur postin e kryebashkiakut.
“Gjithësej, 48 kandidatë për votimet e 1 korrikut janë vrarë”, thekson Etellekt.
Një numër ndjeshëm më i lartë se sa në fushatën e vitit 2012 ku vetëm nëntë personalitete politike ishin vrarë dhe një kandidat.
Këto shifra alarmante dëshmojnë për përfshirjen e krimit të organizuar në nivel lokal.
Kriminelët përpiqen të kontrollojnë pushtetet politike dhe lokale për të ruajtur ose zgjeruar territorin e tyre dhe që të kenë akses në burimet publike, sipas ekspertëve.
“Të zgjedhurit lokalë duhet t’i binden urdhërave të vrasësve ose të krerëve të karteleve që kontrollojnë tregun”, thekson analisti Carlos Ugalde, ish-përgjegjës i autoritetit elektoral federal.
“Nëse ata mendojnë se një personalitet politik nuk do të punojë për ata, as të negociojë, apo t’u nënshtrohet, atëherë ata e vrasin”, shpjegon ai.
Dhuna politike elektorale është pjesë e një vale dhune të përgjithshme që ka prekur gjithë Meksikën.
Më shumë se 200 000 persona kanë vdekur që prej vitit 2006, viti kur qeveria e Felipe Calderon (2006-2012) përdori ushtrinë për të shpërbërë kartelet.