Loading...

Vrasjet e bujshme në Shqipëri, nga deputeti Xhindi, te bankieri Santo. Ende pa autor!

Vrasje e ish-deputetit Fatmir Xhindi, atentati ndaj Artan Santos dhe vrasjet që kanë ndodhur në Durrës e Vlorë, janë disa nga ngjarjet e bujshme në vend, të cilat nuk janë zbardhur ende. Disa nga këto ngjarje, mbeten mister vrasësit apo personat që pavarësisht se janë identifikuar, nuk janë arrestuar.

Maj 2009 vritet Fatmir Xhindi

Në maj të 2009-së është vrarë në Fier ish-deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhindi. Ai u qëllua pranë banesës së tij në Roskovec nga persona të paidentifikuar. Mbetet një në ngjarjet e mistershme të pazbardhura.

Qershor 2014 vritet Artan Santo

Në qershor të 2014-së dy persona qëlluan bankierin Artan Santo në mes të Tiranës, në zonën e ish-bllokut dhe më pas u larguan me shpejtësi me motor. Kjo mbetet ndër ngjarjet më të mistershme për sa i përket personave që kryen vrasjen dhe atyre që e porositën.

Prill 2015 “Masakra e Çoles”

3 persona u vranë në prill të 2015 në atë që njihet si “Masakra e Çoles”, ku mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Për ngjarjen u arrestua Aleksandër Llanaj dhe dy shokët e tij. Kjo ngjarje u zbardh, por pikërisht kjo ka sjellë edhe atentate të tjera në Vlorë, që janë të gjitha të pazbardhura. Mes tyre është edhe atentati i ditës së diel, ku mbetën të plagosur 3 persona, Ferdinand Llanaj, 39-vjeç, djali i tij 8-vjeçar B.Llanaj si dhe Dritan Begaj, 50-vjeç.

2005-2016 Përplasjet e Elbasanit

Një kalvar përplasjesh ka ndodhur mes fisit Çapja dhe familjes së ish-shefit të qarkullimit rrugor Fadil Mema në Elbasan. Disa të vrarë dhe dhjetra të plagosur. Vetëm një pjesë e këtyre ngjarjeve janë zbardhur.

3 prill 2016 atentat fisit Çapja

Në prill të 2016-së i bëhet atentat fisit Çapja në Elbasan, duke lënë të vrarë 3 persona, mes të cilëve edhe Agron Çapjan, dhe disa të plagosur. Autorët ende nuk janë zbuluar.

Prill 2017, vrasjet në Durrës

Në muajin prill të këtij viti iu bë atentat ish-shefit të krimit ekonomik në Policinë e Tiranës Ervin Dalipit dhe Juxhin Dautit. Të dy u vranë te mbikalimi i Sukthit, ku u qëllua me automatik nga një makinë tjetër. Autorët dyshohet se u larguan në drejtim të Shijakut, por nuk u identifikuan nga Policia.

Maj 2017, vrasje e dyfishtë në Vlorë

Në muajin maj të këti viti është vrarë në Vlorë drejtori i OSHEE të këtij qyteti Roland Saliu, si dhe pronari i një televizioni lokal, Erven Hyseni. Edhe për këtë ngjarje të ndodhur në qytetin bregdetar, ende nuk ka autor të arrestuar.

Gusht 2017 vrasjet e Ksamilit

Në muajin gusht të 2017-së është vrarë në Ksamil, Vangjel Çiko. Ngjarja ka lidhje me hakmarrjen për shkak se në shtator të 2016-së është vrarë Aleksandër Bardhi, pikërisht nga djali i Vangjel Çikos, Dhimitër Çiko. Më herët ka patur edhe një të vrarë tjetër në Ksamil Agron Xhezairi, që gjithashtu dyshohet se ka lidhje me ngjarjet e vrasjes së Aleksandër Bardhi. Policia thotë se raporti i ngjarjeve të zbardhura me ato që mbeten pa autor është 7 me 3. Kjo do të thotë se 70% e ngjarjeve në vend kanë një autor, ose person të arrestuar.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com