Spartak Braho, i cili zëvendësoi në Kuvend ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin ka folur edhe për dekonspirimin e 3.4 milionë Eurove të sekuestruara pak ditë më parë në portin e Durrësit. Në një prononcim për ‘’Shqiptarja.com’’ ish-kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare u shpreh se është Lulzim Basha ai që ka dekonspiruar aksionin e policisë. Ndër të tjera ‘’Baba Taku’’ tha se organi i akuzës duhet ta marrë Bashën urgjentisht në pyetje.
Pa dyshim që jemi para një ngjarjeje shumë të rëndë. Është e domosdoshme që organi i prokurorisë të fillojë menjëherë hetimet dhe veç të tjerave, të thërrasë me urgjencë Lulzim Bashën për të shpjeguar deklaratën e tij. Zvarritja e procedurave hetimore ose mundësia e fshehjes së provave nga autorët rrezikon hetimin. Shpresoj dhe besoj se këto rrethana prokurorët e çështjes do t’i vlerësojnë me objektivitet dhe paanshmëri pa u tërhequr dhe ndikuar nga ndërhyrjet dhe presionet, që jam i bindur se do të ketë mbi ta.
Më tej Spartak Braho thekson se e rëndësishme është se kush e informoi Lulzim Bashën për ngarkesën me euro.
Dekonspirimi i operacionit policor është tashmë evident. Ka një autor që është shfaqur publikisht si i tillë. Dhe ky është Lulzim Basha, i cili me deklaratën e tij në Kuvend ka pohuar dijeninë për ekzistencën e një grupi kriminal që do të transportonin nga Belgjika në Shqipëri disa milionë euro në rrugë të paligjshme, ndërkohë që janë bërë të njohura lidhjet e tij nëpërmjet fotove me të afërm të ngushtë të këtij grupi, të cilët janë shpallur në kërkim si autorët e dyshuar të transportit klandestin të 3.4 milionë eurove.