Drashovica, fshati i vendosur në hyrje të zonës kodrinore e malore të luginës së lumit të Shushicës, ku që në kohët më të vjetra degëzoheshin rrugët për të hyrë në brendësi të lumit të Vlorës ka bërë që ndër shekuj të konsiderohet si “Porta e Labërisë”. Ky fshat ka një histori të paktën 585 vjeçare dhe mendohet të jetë themeluar në vitin 1431. Drashovica ka kontribut të spikatur për trashëgiminë kulturore, folklorin, identitetin etno-kulturor dhe polifoninë labe. Fshati i Drashovicës, që mban edhe titullin “Nderi i Kombit”, nuk është i njohur vetëm për luftërat, por edhe për kulturën, gjuhën, zakonet, minierat e strallit, manastirin, kishën, ndërtimet e tipit ‘kullë’ dhe të tjera veçori që nuk i gjen shpesh në fshatra të tjerë.
Drashovica është një ndër tre urat-kufi të Labërisë. Të gjithë e njohin si ura e Drashovicës, si një urë që lidh dy brigje, ashtu si të gjitha urat e tjera. Por në fakt, nuk është një urë si të gjithë të tjerat, por një urë- kufi. Është kufiri i Labërisë, i asaj Labërie që çuditërisht shtrihet brenda tre urave, urës së Drashovicës, urës së Kalasë dhe urës së Vjosës.
Bukurinë fshatit ia shton edhe monumenti i Drashovicës, i ngritur në rrugën e lumit të Vlorës, pra në udhën automobilistike Vlorë-Kurvelesh. Ai gjendet i pozicionuar rreth 30 m nga ura e famshme e Drashovicës.
Ura e Drashovicës përmendet në të dy luftërat që zhvilluan lebërit kundër pushtuesve në verën e vitit 1920 dhe në dimrin e vitit 1943. Kjo vepër monumentale e krijuar nga skulptorët shqiptarë përkujton këto dy luftëra dhe u ndërtua e gjitha në bronx, ndërsa sheshi i saj dhe harku që lidh të dy faqet e historisë në një të vetme është ndërtuar me strukturë betoni. Ndërsa në të dy anët e kësaj strukture gjenden figura në basoreliev që tregojnë luftën për secilën kohë.
Qeveria Shqiptare përmes projektit 100 fshatrat turistikë, do ti kthejë lavdinë e dikurshme fshatit me pamje e bukuri magjepsëse, përmes zhvillimit të agroturizmit. Falë kullotave të shumta, tokave pjellore e ujit të bollshëm banorët e këtij fshati ndër shekuj i kanë siguruar të ardhurat për të jetuar me blegtori, bujqësi e peshkim.
Duke u renditur në listën e 100 fshatrave me prioritet ekonomik dhe turistik, Drashovica pret të mbledhë rreth vetes vizitorë të shumtë siç mblidheshin çdo 13 shtator, para viteve ’90, për të kujtuar luftën e Drashovicës.