Të 10-të klientët më të mëdhenj kanë ulur ekspozimin e tyre në kursimet bankare, por gjithsesi në fund të vitit të kaluar ata zotëronin rreth 500 milionë euro kursime ne sistem.
Departamenti i Mbikëqyrjes Bankare në Bankën e Shqipërisë raportoi se fundmi se depozitat në sistemin bankar arritën në fund të vitit 2017 në 1.16 trilion lekë me një rritje vjetore prej 0.74%, krahasuar me një vit më parë.
Në dhjetor 2017, dhjetë depozituesit më të mëdhenj zotëronin 5.46% të totalit të depozitave të sistemit bankar me mbi 65 miliardë lekë ose rreth 500 milionë euro, kundrejt 6.16% që zinin në dhjetor 2016.
Banka verën se e njëjta ecuri tkurrëse e përafërt vërehet edhe për grupet e tjera të depozituesve të mëdhenj. Depozitat e individëve mbeten baza kryesore e depozitave të sistemit, me peshë prej 83.24% të totalit të depozitave, por me një rënie rreth 0.19 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.
Ekspertiza e bankës shpjegon se kjo sjellje vjen si pasojë e kombinimit të efekteve të ecurisë së normave të interesit të tregut me faktorë të jashtëm. Gjatë këtij viti, llogaritë e bizneseve janë rritur me ritme më të larta se llogaritë e individëve (përkatësisht 3.27% dhe 0.46%).
Depozitat e sistemit janë rritur me rreth 8,5 miliardë lekë këtë vit, përkundrejt rritjes me rreth 59 miliardë lekë, në vitin 2016.
Depozitat e klientëve mbeten burimi kryesor i financimit për sistemin bankar shqiptar, me një peshë prej 80.41% (82.27% në dhjetor 2016) të totalit të pasivit.
Pesha e monedhës vendase në totalin e depozitave ka rënë lehtësisht në 47.08%, nga 47.2% në dhjetor 2016.
Struktura e maturitetit është zhvendosur në drejtim të afateve më të shkurtra, sepse është rritur pesha e llogarive rrjedhëse dhe depozitave pa afat, ndërkohë që depozitat me afat janë tkurrur relativisht nën ndikimin e uljes së vazhdueshme të normave të interesit të tregut.