Në një prej sipërfaqeve akullnajore që po shkrin me shpejtësi në Antarktidën Perëndimore fshihet një sekret që nuk ka të bëjë me ngrohjen globale. Sipas mediave të huaja një burim i konsiderueshëm nxehtësie vullkanike është konstatuar nga studiuesit në këtë zonë.
Ishulli akullnajor Pine është një nga më të prekurit nga shkrirja. Copa të mëdha janë shkëputur prej tij që prej vitit 2000. Më e madhja është një ajsberg sa sipërfaqja e Uashingtonit, që u shkëput në shtator të vitit të kaluar.
Sakaq rrymat e ngrohta oqeanike shihen si shkaku kryesor për shkrirjen e akullit, por në këtë rast shtohet edhe nxehtësia që vjen nga poshtë tij, konstatohet në një studim të publikuar në gazetën “Nature Communications”.
Zona e Antarktidës, ku ndodhet ky ishull, shtrihet mbi një vargmal të krijuar si pasojë e aktivitetit vullkanik. Studime të mëparshme kanë treguar se shpërthimi i fundit në këtë zonë ka ndodhur 2200 vjet më parë.
“Zbulimi i vullkaneve nën shtresën akullnajore të Antarktidës do të thotë se ka burim shtesë nxehtësie që shkrin akullin dhe shton rrymat e ngrohta në oqean”, thotë Karen Heywood, profesoreshë në Universitetin e Anglisë Lindore, në Noruiç.
E sipas studiuesve, ky vullkan ndodhet 50-250 metra nën nivelin e oqeanit dhe ka kapacitet sa gjysma e vullkanit aktiv Grimsvötn në Islandë.