Pas padisë së ngritur dy ditë më parë nga kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla, Prokuroria e Krimeve të Rënda është vënë në lëvizje dhe ka nisur hetimet për Lulzim Bashën për dekonspirimin e 3.4 milionë eurove të kapura në portin e Durrësit.
Por burime për ‘’Report TV’’ thonë se prokurorët kanë të qartë një pistë sesi ka ardhur informacioni te Basha dhe se pritet që kryedemokrati të merret në pyetje. Po ashtu hetim për Lulzim Bashën ka nisur edhe nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).
DEKONSPIRIMI/ Pasi foli Basha në Kuvend, shoferi mori urdhër: Ikni nga Bari
Deklarata e Lulzim Bashës në Parlament në 21 qershor, se një automjet “Toyota Yaris” ishte kapur në Gjermani me 1.5 milion euro brenda dhe që po planifikohej të futej në Shqipëri, ka bërë që grupi kriminal, i cili tranportonte 3.4 milionë euro, të ndryshonte drejtim.
Kjo, me sa duket, ka qenë një lëvizje e grupit për t’u shpëtuar kontrolleve të repta të policisë italiane, por edhe për të hutuar policinë shqiptare, e cila tashmë kishte marrë dijeni dhe e priste automjetin bizark në kufirin tokësor.
Agim Çeka tha se makinat i ka ngarkuar në Belgjikë Elvis Vladi dhe se janë nisur për në Ankona, por pronari Edi Lika i ka thënë që të shkojë në portin e Barit. Shoferi i trajlerit ka theksuar se në Durrës i priste Fredi, djali i xhaxhait të Elvis Vladit. Por Alfred dhe Elvis Vladi shumë shpejt kuptuan që as ndryshimi itinerarit nuk mjaftonte për të shpëtuar nga arrestimi.
Balla nxori dje foton: Basha me vëllanë e Alfred Vladit, në kërkim për 3.4 mln euro
Kreu i PD, Lulzim Basha, nga akuzues i Taulant Ballës për ngarkesën e 3.4 milionë eurove është akuzuar nga kreu grupit parlamentar socialist se ka njohje me vëllanë e Alfred Vladit, njërin prej dy personave të shpallur në kërkim. Taulant Balla publikoi dje një foto, ku kryedemokrati ka pozuar brenda ambienteve të zyrës në PD me disa persona, ku në të djathtë të tij, sipas Taulant Ballës, qëndron vëllai i Alfred Vladit.