Loading...

“Eliminimi ose burgosja e të korruptuarve”, Spartak Ngjela flet për “furtunën” që nis këtë muaj dhe tregon pse BE e shpëtoi Shqipërinë

Avokati Spartak Ngjela paralajmëroi ditën e djeshme se brenda vitit vendi ynë do të prekë arrestimet në nivele të larta. Sipas tij, me vendimin e marrë nga BE për negociatat, korrupsioni shqiptar do të shfaroset shumë shpejt, ku nuk do të mungojnë edhe prangosjet “VIP”.

Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, avokati deklaroi se në korrik Bashkimi Evropian do të sjellë ekspertët e tij për të asistuar në procesin e vetingut dhe për të ndihmuar në ngritjen e organeve të reja antikorrupsion, SPAK dhe BKH.

“Në korrik vijnë vetë ata, vjen komisioni i tyre direkt për zbatimin e reformës në drejtësi, krijimin e SPAK, krijimin e BKH, Gjykatën e Posaçme dhe Prokurorinë e Posaçme. Tani këta kanë marrë fund. Evropa anoi nga Shqipëria. Evropa i dha dorë të madhe sidomos politikës amerikane që të ketë aftësi të plota politike për të dominuar problemin e korrupsionit në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por aspekti i dytë i kërkesave është që menjëherë pas këtyre të ndodhë eliminimi ose burgosja e të korruptuarave të mëdhenj”, theksoi kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor pritet që të ngrihen në shtator dhe do të jenë dy organet e reja të drejtësisë që do të jenë kompetentë për të emëruar gjyqtarët dhe prokurorët e rinj. Dy muaj pas ngritjes dhe konstituimit të KLGJ dhe KLP, në vend do të ngrihen edhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH).

Pikërisht këto dy institucione do të kenë në dorë luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe arrestimet “VIP”. Parashikimet janë që SPAK dhe BKH të ngrihen brenda vjeshtës dhe për këtë arsye edhe avokati Ngjela shprehet se arrestimet e të korruptuarve janë më pranë se kurrë.

Tentativat e kota të opozitës

Spartak Ngjela komentoi edhe tentativat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të hedhur në erë reformën në drejtësi dhe për të bërë jofunksionale KLP dhe KLGJ. Ditët e fundit, opozitarët, si Luan Rama kanë kërkuar që të largohet kryeprokurorja Arta Marku, të shkrihen komisionet e vetingut dhe të rishihen edhe një herë ligjet e paketës së reformës në drejtësi, duke tentuar kështu që çdo gjë që është bërë deri tani ta hedhin poshtë dhe të nisë nga e para. Mirëpo për avokatin Ngjela, një gjë e tillë është e pamundur. Ai renditi dy arsye: e para, opozitës i mungojnë votat për ta bërë një gjë të tillë dhe e dyta, BE kërkon vijimin e reformës në drejtësi.

“Reformën në drejtësi nuk e hedh dot në erë sepse e para nuk ka mazhorancën. E dyta, nuk mund të bëjë dot gjë sepse është në kërkesat ekspicide të hapjes së negociatave. Evropa dje dhe sot iu kërkoi si gjë kryesore vetingun, SPAK dhe Byronë e Hetimit. Kjo tani këta i ka shqetësuar dhe duan të bëjnë mbi udhën nën udhë. Por e kanë kot. Nuk çan njeri kokë për ta sepse nuk kanë mazhorancë në Parlament. Atëherë pyetja bëhet: po Rama a i do këta? Mos bashkohet Rama me ta? I do, nuk i do, ai duhet të ndjekë rrugën që të shpëtojë gjithçka për vete. Është shumë e rreptë kjo që ka ndodhur me BE. Është përkrahja më e madhe që i dha Perëndimi Shqipërisë”, u shpreh avokati.

Ngjela theksoi më tej se me vendimin e BE për negociatat, Shqipëria ka shpëtuar. “Që nga momentet e aneksimit të territoreve shqiptare drejt sllavëve dhe grekëve, është qëndrimi më i madh shqiptar dhe shumë mirë që e thyen edhe politikën franceze, e cila pranoi konsensusin e zgjerimit dhe të pranoheshin këto si kushte. Shqipëria ka shpëtuar”, tha Spartak Ngjela.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com