Deputeti demokrat i Vlorës Agron Shehaj u është bashkuar të enjten artistëve që protestojnë kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Ai tha se e vetmja mënyrë për ta mbrojtur këtë godinë është ngujimi brenda saj. Ai ofrua që t’i bashkohet kësaj lëvizjeje.
“Unë mendoj se e vetmja mënyrë për të ndaluar shembjen e Teatrit është të ngujohemi brenda, të futemi brenda. Nuk ka asnjë mundësi tjetër. Ky nuk është një vendim që më takon mua, pasi ju takon juve.
Nëse doni që ta shpëtoni këtë Teatër nuk keni asnjë mundësi tjetër. Në qoftë se ju vendosi të futeni brenda unë do të jem i pari që do të futem dhe i fundit që do të dal nga Teatri. Nuk ka asnjë mundësi tjetër.
Ka shumë mundësi që të enjten ata të votojnë ligjin dhe të premten të vijnë këtu me ruspa dhe ta shembin. Maksimumi mund të presin ndonjë ndeshje të kampionatit botëror, ndonjë finale psh. Ua them sinqerisht, është e vetmja mundësi që kemi” – tha Shehaj.
Këtë të enjte parlamenti vendosi që të futet në kalendarin e punimeve projekt-ligji për shembjen e godinës aktuale të Teatrit dhe për të ndërtuar aty një të ri.
https://www.facebook.com/agronshehaj.al/videos/236551310272247/?t=0