“Pamfleti” ka bërë publike disa herë përpjekjet e Lulzim Bashës për të bashkëqeverisur me Ramën këto vite të mandatit të dytë qeverisës të PS.
Madje këmbënguljen e Bashës për të rikthyer marrëveshjen e 18 majit të vitit të kaluar që në shtator të këtij viti, ndonëse kërkesat janë më të vogla, po e bëjnë publike jo vetëm mediat, kundërshtarët e Bashës, faktorë brenda PS por dhe aleatët e saj.
Në radhë të parë është Monika Kryemadhi, kryetare e LSI dhe bashkëshorte e Ilir Metës ish kreut të kësaj partie njëherësh president i Republikës ajo që është ndjerë e tradhëtuar nga Lulzim Basha dhe PD në opozitë.
Madje e ka shprehur më se njëherë këtë fakt, duke deklaruar gati në të gjitha daljet publike dhe ku ka qënë e ftuar nëpër emisionet televizive sa herë është pyetur se, nuk ka besim te Basha.
Kryemadhi arrin deri aty sa thotë se ende kreu i PD nuk e ka ndarë mendjen nga marrëveshja e 18 majit të vitit të kaluar, pavarësisht deklaratave të njëpasnjëshme fallco që bën kundër Ramës.
Me këtë ngarkesë kundër Lulzim Bashës, kryetarja e LSI është distancuar ndjeshëm me kreun e PD ndërkohë që përmes Erion Veliajt kryebashkiakut të Tiranës vijon “flirtin” me Edi Ramën, kryeministrin e vendit dhe kreun e mazhorancës qeverisëse.
Tentativa e Kryemadhit konkludon në dëshirën për të bashkëqeverisur sërish me Edi Ramën, duke filluar ndoshta nga vjeshta e këtij viti dhe mundësish të lërë Bashën jashtë qeverisjes.
Pasi nuk do të kishte kuptim sipas burimeve brenda LSI, që të kishte koalicion qeverisës mes dy partive të mëdha politike, njëra e majtë si PS tjetra e djathtë si PD kundër një partie të majtë si LSI, për ta lënë në opozitë.
Kupola e LSI e sheh të logjikshme dhe legjitime një aleancë mes PS dhe LSI për të qeverisur vendin në mandatin që ka mbetur dhe që do të startonte në koalicion dhe për zgjedhjet vendore të qershorit të vitit të ardhshëm.
Dhe për të testuar reagimin e Ramës, Monika Kryemadhi nxori nënkryetarin e LSI Luan Rama që sulmoi kryeministrin për dështimin në hapjen e negociatave këtë qershor dhe shtyrjen e hapjes së tyre për qershorin e vitit të ardhshëm.
Madje Rama i LSI e ashpërsoi gjuhën kundër Ramës së PS, duke kërkuar dhe dorëheqjen e tij nga posti i Kryeministrit, pa precizuar nëse duheshin zgjedhje të parakohëshme, qeverisje të re me një socialist në krye, apo në koalicion me LSI.
Gjithsesi kryeministri Edi Rama, teksa foli në takimin me deputetët e PS dhe ministrat e qeverisë së tij për procesin e vështirë të hapjes së negociatave dhe suksesin e arritur sipas tij, ka sulmuar vetëm PD dhe në asnjë moment nuk ka kthyer përgjigje për akuzat e LSI apo dhe kërkesën e saj për dorëheqje.
Sinjali i LSI ka qënë i qartë, që të ketë një bashkëqeverisje vetëm mes PS-LSI, lidershipi i partisë së Kryemadhit do të pushojë akuzat ndaj Ramës. Me kusht që Basha të jetë jashtë tortës qeverisëse.
Një afrim i tillë i Monikës me sa duket ka qënë dhe i kondicionuar me faaktin që në Këshillat bashkiakë në jo pak raste ka pasur rrjedhje të mëdha të këshilltarëve të LSI drejt PS-së.
Po ashtu mund të përmendim se disa nga deputetët e LSI, nuk i janë bashkuar aksionit të PD në disa raste kur ka pasur bojkotim të seancave parlamentare.
Madje njëri prej tyre, deputeti i qarkut Fier Robert Bitri ka dalë i pavarur, ndërkohë që priten rrjedhje të tjera nga grupi parlamentar i LSI.
Një nga deputetët e LSI, i cili disa herë është distancuar nga aksionet e PD në bojkotimin e seancave parlamentare, Nasip Naço është shprehur se nuk ka qënë dakord me shkëputjen nga PS në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.
Deputeti i LSI, Nasip Naço ka deklaruar për mediat se “dhe një pjesë e mirë e deputetëve të LSI-së dhe nga takimet që kemi me pjesën tonë të elektoratit, nuk kemi qenë dakord në fillim që ne të distancoheshim nga PS, pra në zgjedhjet parlamentare të 2017”.
Pra po përgatitet kalimi i LSI nga opozita me Bashën në qeverisje me Edi Ramën, me kushtin e vetëm që kreu i PD të jetë jashtë qeverisjes./Pamfleti