Në raportin e performancës për vitin e kaluar publikuar këtë qershor Enti Rregullator i Ujit (ERRU) vlerëson se ky nivel matjeje mbetet relativisht i ulët.
“Duke pasur parasysh riorganizimin e shoqërive me ndarjen e re administrative, aktualisht asnjë shoqëri UK nuk i ka të pajisur 100% të konsumatorëve me matës, madje në disa shoqëri ky tregues është në nivelin nën 10%” thuhet në raport.
Në lidhje me faturimin aforfe, ERRU thekson se shumica e konsumatorëve paguajnë më shumë sesa konsumojnë dhe se rastet e shtëpive private me konsum më të lartë sesa faturohen përmes aforfesë janë më të pakta.
“Konsumatorët duhet të paguajnë për sasinë reale të ujit të konsumuar prej tyre. Pjesa e konsumatorëve që paguajnë për sasi uji pa matje (aforfe 150 litra/ditë/banor) nuk është korrekte dhe mbart në vetvete padrejtësi dhe abuzim. Kjo për faktin se shumica e konsumatorëve familjarë konsumojnë nën këtë normë të presupozuar, ndërkohë që një pjesë e tyre konsumojnë shumë më tepër për ujitje (shtëpia private dhe zona rurale)” vijon raporti.
Po ashtu ky Ent shprehet më tej se aforfeja u leverdis financiarisht ujësjellësve pra marrin më shumë para sesa uji që është konsumuar edhe pse në disa raste nga ana tjetër stimulohet konsumi më të lartë.
“Në disa raste shoqërive u vjen përshtat financiarisht faturimi aforfe, por kjo shpeshherë stimulon mbikonsum të ujit në zona të caktuara duke cenuar cilësinë e shërbimit (orët e furnizimit dhe presionet) në zonat shpërndarëse mbas tyre sidomos gjatë stinës së nxehtë. Pajisja 100% me ujëmatës në të gjithë komponentët kyç të sistemeve të furnizimit me ujë duhet të jetë prioritet bazë i shoqërive UK dhe i mundësisë të financimit të tyre nga qeveria qendrore.
Sipas ”Monitor” shoqëritë UK për vitin 2017 kanë raportuar instalimin e 63 820 ujëmatëseve më shumë krahasuar me vitin 2016, por akoma sektori është larg objektivit për të pajisur 100% të konsumatorëve me matësa” vlerëson Enti Rregullator i Ujit.