Ambasada Amerikane ka reguar pas vendimit për negociatat. Në një postim në faqen e saj në rrjetet sociale ambasada amerikane e sheh si pozitiv shtyrjen e aftit si një mundësi për përmbylljen me sukses të reformave.
“Përgëzojmë Shqipërinë për vendimin pozitiv në lidhje me hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Shqipëria ka bërë përparim domethënës dhe tani nevojitet të rrisë përpjekjet për të përfunduar reformat kyçe. Ne e nxisim Shqipërinë që të rrisë ritmin në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar”, shkruhet në reagimin e ambasadës.
Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit europian u shprehën në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim më Shqipërinë por duke e shtyrë vendimin për qershorin e ardhshëm, në pritje të përparimeve të mëtejshme të vendit veçanërisht, lidhur me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ndonëse ky nuk ishte vendimi më i mirë i mundshëm, duket se autoritetet në Tiranë morën frymë disi të lehtësuar, nëse merret parasysh klima që i parapriu. Nga njëra anë tensioni brenda vetë BE-së, me krizën e migracionit, dhe në anën tjetër trysnia anti-zgjerim nën të cilën ndodhen disa prej vendeve anëtare. Dhe në fakt qershori i ardhshëm, përkon me periudhën pas zgjedhjeve për parlamentin europian.
Vetë vendimi ishte fryt i një kompromisi që kërkoi orë të tëra për të sjellë në një emërues të përbashkët shumicën e vendeve që ishin haptazi në mbështetje të hapjes së bisedimeve, atyre si Gjermania, që ishin për një proces të kushtëzuar, apo Francës, Hollandës dhe Danimarkës që fillimisht mbështetën idenë e një shtyrje pa afat të përcaktuar. Për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati vendi “tanimë ka hyrë në rrugën e pakthyeshme drejt procesit të anëtarësimit në BE”, ndërsa opozita i mëshon idesë se bisedimet nuk do të nisin as në 2019.