Loading...

Dukatasja Edlira Gjoni mesazh të fortë Edi Ramës – “Zotëri, . . . vetëm pra e ke timonin ” !

Nga Edlira Gjoni :

Zotëri,

Opozita baltë mund të ketë hedhur. Nuk presim të na mbyshësh mendjen ti. Po drogën, malet me hashash, abuzimin në mes të natës e të ditës me pushtetin, shkeljet e ligjit me të dyja këmbët, arrogancën e të paaftëve që mban rreth vetes, Roshët, Tahirët, Xhafët, Ahmetajt, Doshët e kodoshët, i shohim vetë. Nuk kemi fare nevojë të na i tregojë opozita. Ti po, mund të kesh nevojë për të. Edhe dashuri, përderisa i jep 13 milionë euro për një pallat. Nga paratë tona!
Kurse për delirin tënd që më mirë se ju nuk paska, apo nuk duken në horizont: ku të të shfaqen? E sheh mjedisin që ke krijuar përreth? Megallomanë, arrogantë, narçizë, hajdutë me çizme e dashnorë kullash, që shesin sapunin për djathë. Kush të afrohet ty apo politikës në këto kushte? Ti do emisarë lepe-peqe!
Nuk paska të mirë e të aftë Shqipëria? Po ti i përzë. Ti dhe lulja e PD-së. Doni Roshët e Ballinjtë. Nuk ka vend për të rinjtë me sjellje, mend, formim, karakter e integritet ndryshe nga soji juaj.
Ti nuk i do më të mirët. PD jo e jo! Doni sojin tuaj! Doni ata që dalin në llogore të mbushin barkun e popullit me lugën bosh.
E ke popullatën pa punë o më i miri i të mirëve. Ke 30 e ca qytete të vogla të ngordhura. Super-ministri yt nuk ka çuar dot një kompani të vetme në Rrogozhinë, Milot, Pukë, Ksamil, Delvinë, Bilisht, Orikum, Laç, Rubik, Leskovik, Përmet a Këlcyrë. Me se jetojnë njerëzit atje? A ka ndonjë përgjigje ministri yt i rritjes ekonomike?
Qytete me këto përmasa në Serbi p.sh. janë ringjallur, se qeveria ka arritur të tërheqë kompani farmaceutike, prodhim pjesësh këmbimi, ambalazhim, transit, magazinim. Marrin familjarët nga 350 euro rrogë në muaj. Po dy veta 700 euro në muaj për një familje në Rubik janë jetë e dytë, o më i miri që si ti nuk ka!
Lere burgun t’a mirëpresë shpurën tënde të infektuar. Jepi fund mbrojtjes së atyre që janë zhytur deri në fyt. Mos i shkel vetë ti i pari ligjet me Fushën e me kullat. Pusho një herë me ato forma skandaloze betoni, se e bëre syrin e vendin për në psikiatri.
Leri justifikimet e teatrot me Lulin. Ke 6 vjet që as nuk ka mundur, as nuk ka pasur takat të të bëjë gjë. Vetëm pra e ke timonin.
Hap krahun e mos e mbaj më peng Shqipërinë.
Pushoje Ahmetajn nëse nuk sjell dot investime. Pushoje Xhafën nëse nuk pushojnë Toyotat e maunet me banane.
Pushoje Bushatin, nëse nuk arrin të bëjë diplomacinë si homologët.
Pusho dhe vetë, nëse je lodhur e nuk di t’i japësh drejtim.
Nuk zgjedh njeri Lulin jo. Nuk jemi gati për kasollen e ndryshkur të PD-së. Po edhe arrogancën tënde, mbaje për vete, Zotëri!
Vrimën në ujë do e bësh vrimë në rërë kur të futen në burg ata që ti sot mbon dhe kur të ngrihen 1.8 familjarët shqiptarë në mëngjes nga gjumi e të thonë “Po shkojmë në punë”.
Deri atëherë, vrima në ujë e në Facebook, bëj sa të duash, ti dhe komentuesit e tu me IQ 84!
Po Shqipëria do zgjidhje: Ndëshkim për shkelësit e ligjit dhe punë për familjarët e të rinjtë!
Se na koritët krejt!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com