Gjatë ditës së sotme ka patur reagime të shumta në lidhje me vendimin e marrë nga ministrat e Jashtëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian vitin e ardhshëm. Pas ambasadorit amerikan Donald Lu, ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, tashmë ka reaguar edhe eurodeputeti Eduard Kukan.
Ai ka përshëndetur vendimin e BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Sipas ”TemA” ai nënvizon faktin se të 2 vendet kanë avancuar me axhendën e integrimit në BE dhe se e meritojnë datën e përcaktuar.
“Përshëndes konkluzionet e djeshme të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme për hapjen e rrugës për negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Dua të përgëzoj të dy vendet për përparimin e bërë në axhendën e integrimit në BE. Ato meritojnë një mesazh të qartë për fillimin e negociatave të pranimit.
Një vit u është dhënë vendeve të vijnë në tryezën e negociatave, që pasqyron diskutimin e brendshëm të Këshillit mbi procesin e zgjerimit të BE.
Unë mbështes plotësisht Shqipërinë dhe Maqedoninë në këtë proces dhe i besoj angazhimit të tyre në axhendën e reformave.
Pres që të punoj me partnerët tanë gjatë muajve të ardhshëm dhe jam gati të ec me ta në rrugën drejt negociatave të pranimit “, nënvizon Kukan.