[sgmb id=”1″]
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka zbuluar para mediave sot arsyen pse nuk e vazhdoi aleancën me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, por iu drejtua LSI-së.
Arsyeja e dhënë qartë prej tij ishte se prej 15 muajsh, Rama nuk e kishte përfilluar aleatin e tij, duke mos denjuar as ta takonte, përjashtuar mospërmbushjen e asnjë pike të marrëveshjes së tyre të zgjedhjeve të mëparshme.
“Së pari, – tha Milo, – unë nuk kam pasur mundësinë që të takoj z. Rama. Mund të kem mbi nëj vit e tre muaj që nuk e kam takuar dhe jo për fajin tim. Kështu që nuk mund të shtrohet si pyetje. Dhe e dyta, PDS, në marrëdhënie me partitë e tjera është një parti sovrane që vendimet e veta i merr në gjykimin e saj dhe brenda institucioneve të saj dhe nuk i merr leje askujt, cilido qoftë ai, qoftë si individ, qoftë si subjekt politik që të kushtëzojë marrëdhëniet me një parti tjetër.
Aleancat nuk janë të përjetshme. Aleancat ndërtohen mbi bazën e parimeve, mbi bazën e objektivave të përbashkëta dhe në momentin që njera palë as nuk respkton parimet e bashkëpunimit, as nuk respekton as marrëveshjet e nënshkruara, atëhërë aleancat zhbëhen në mënyrë të natyrshme jo për fajin tonë si parti. Sepse ne kemi qënë vazhdimisht shumë korrekt në zbatimin e marrëveshjeve me partnerët tanë dje dhe sot.”
Pavarësisht se Milo përsëriti dy herë që marrëveshja me LSI-në që po firmoste nuk drejtohej kundër të tretëve, ai jo pa qëllim përmendi fjalën kosh.
“PDS është një parti që vlerëson aleatët e partnerët dhe nuk i hedh ata në kosh, në një kohë kur të tjerët kanë dëshmuar një sjellje tjetër. Megjithatë PDS – LSI është një marrëveshje vlerash, nuk është një marrëveshje që drejtohet kundër të tretëve,“ tha Milo.