Loading...

BE ultimatum Shqipërisë për hapjen e negociatave: 1 vit kohë për arrestimin e politikanëve, ministrave e ish-ministrave

Bashkimi Europian i ka vendosur ultimatum Shqipërisë, që brenda një viti të nis arrestimin e politikanëve të korruptuar në Shqipëri. Për këtë arsye ditën e djeshme u vendos që Shqipërisë t’i hapen negociatat në qershor të vitit të ardhshëm. Duke parë ecurinë e reformave në vendin tonë si dhe qendrimet e Francës dhe Holandës, Brukseli ka vendosur të kërkojë progres në reformën në Drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gati arrestimet VIP

Vendimi BE dje ka dhënë sinjale se në Shqipëri do të nisë reprezalja në radhët e politikës. Edhe pse nuk do ketë negociata këtë vit, Brukseli ka paralajmëruar se deri në qershor 2019 do të ketë arrestime në nivele shumë të larta. Gazeta ”SOT” ka siguruar raportin e miratuar dje nga ministrat e Jashtëm dhe aty kanë një sërë kushtesh që duhet të përmbushen nga Shqipëria. Kryesorja është se BE kërkon luftë të ashpër ndaj korrupsionit në nivele shumë të larta.

“Këshilli nënvizon se Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj në të gjitha këto fusha dhe duhet të sigurojë se rezultatet e mëtejshme duhet të arrihen edhe në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë, si dhe në çmontimin e rrjeteve kriminale të organizuara. Në kuadrin e reformës së drejtësisë, institucionet e specializuara për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar ende duhet të krijohen sipas kuadrit ligjor tashmë në fuqi.

Krijimi i një procesi solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të gjitha nivelet, mbetet një objektiv thelbësor afatgjatë që kërkon përpjekje të mëtejshme, të strukturuara dhe të qëndrueshme”, thuhet në raport. Me këtë vendim të BE, sinjalet janë se shumë shpejt do të nisin arrestimet në nivele ministrash, ish-ministrash dhe deputetësh. Brukseli dje ka qenë i qartë se nëse politikanët e korruptuar nuk dalin para drejtësisë, atëherë nuk do ketë hapje të negociatave.

Ngritja e SPAK dhe e BKH

Në dokument kërkohet po ashtu që të përshpejtohet vetingu dhe të ngrihet me urgjencë Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Struktura e Posaçme antikorrupsion. “Kërkohet avancimi i mëtejshëm i procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti duke plotësuar të gjitha dosjet prioritare dhe finalizimin e themelimit të strukturave të pavarura gjyqësore siç parashihet me reformën kushtetuese.

Kërkohet finalizimi i themelimit të organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve (NBI) dhe Gjykatës. Kërkohet forcimi i procesit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe në nivel të lartë”, theksohet më tej. Sinjalet janë se duke filluar nga muaji korrik e deri në qershor 2019 do të nisë një luftë e ashpër ndaj korrupsionit. Plani është që SPAK të ngrihet brenda vitit dhe kushdo që ka bërë zullume do të përballet me drejtësinë.

Paraskenat e negociatave

Vendimi i BE për të shtyrë në 2019 vendimin për negociatat e Shqipërisë erdhi pas debateve të gjata mes vendeve anëtare në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, i cili u mblodh në Luksemburg, ku disa vende kërkonin shtyrjen pa afat të procesit. Në përfundim të pjesës së parë të mbledhjes, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias tha se ka dy grupime. Njëri që përfaqëson shumicën, me 25 vende që mbështesin hapjen e bisedimeve deri në verën e 2019 dhe tre vende të tjera, Franca, Danimarka dhe Holanda që mendojnë se duhet të shtyjmë të gjithë procesin.

Qëndrimi i Francës është ndikuar nga një sërë faktorë. Nga njëra anë janë ato që lidhen me situatën e brendshme, duke qenë se gati gjysma e forcave politike franceze dhe shumica dërrmuese e opinionit publik, janë kundër idesë së zgjerimit. Ndërkohë që përpara nisjes së takimit Ministri i Jashtëm holandez Stef Blok përsëriti qëndrimin hezitues të vendit të tij.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com