Bernd Birchardt, ambasadori i OSBE-së në Tiranë duke folur në një konferencë për gratë në politikë u shpreh:
“Kodi Zgjedhor i mëparshëm përmbante një dispozitë, që lejonte refuzimin e listave të kandidatëve të partive që nuk plotësonin kuotën gjinore ligjore. Kjo dispozitë është hequr në Kodin e tanishëm. Ne rekomandojmë fuqimisht rivendosjen e dispozitës që lejon refuzimin e listave të kandidatëve të partive që nuk plotësojnë kuotën gjinore.
Thjesht vendosja e një gjobe për partitë politike, listat zgjedhore të të cilave nuk plotësojnë kuotën gjinore, nuk e çon përpara kauzën e grave në politikë po aq mirë sa refuzimi i listave. Partitë politike duhet të bëjnë më shumë për të siguruar kushtet për pjesëmarrje të hapur dhe të drejtë të grave në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve brenda partive.”
Ndër të tjera ambasadori Borchardt theksoi se pjesëmarrja e grave në politikë në vitet e fundit duhet të ruhet dhe të çohet më tej.
“Ndoshta dikur në të ardhmen mund të shohim një grua kryeministre në Shqipëri, duke ndjekur kështu prirjet evropiane dhe rajonale. Deri atëherë, ne punojmë në mënyrë të përkushtuar që të shohim më shumë gra këshilltare vendore, deputete dhe në poste të larta shtetërore”, tha ai.
Fjala e plotë e ambasadorit të OSBE në Shqipëri Bernd Borchardt
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka dhënë kontributin e saj përgjatë viteve, duke punuar nga afër me gratë politikane, organizatat e shoqërisë civile në nivel vendor dhe kombëtar, me organet vendimmarrëse dhe me institucionet shtetërore, për të ndihmuar dhe mbështetur konkurrimin e sa më shumë grave në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme, si dhe zgjedhjen e tyre në poste publike.
Përgjatë viteve, ne kemi mbështetur krijimin dhe funksionimin e Aleancës së Grave Deputete. Për më shumë se tetë vjet, me anë të Platformës Kombëtare të Gruas, ne kemi mbështetur shumë veprimtari që forcojnë pozicionin e grave nga e gjithë Shqipëria në politikë. Gjithashtu kemi organizuar trajnime për gratë këshilltare vendore, pra bazën e elitës politike të grave në të ardhmen, dhe këtë vit po zhvillojmë një program trajnimi më sistematik dhe të plotë sipas konceptit të “Akademisë për Gratë Këshilltare”, duke fuqizuar gratë që në bazë.
Së fundmi, Prezenca ka filluar të punojë në nivel rajonal për barazinë gjinore në politikë, përmes organizimit të seminareve tematike në Budva të Malit të Zi, në maj, si dhe ka mbështetur pjesëmarrjen e tri grave deputete në Takimin Rajonal për Barazinë Gjinore dhe Korrupsionin, organizuar nga misioni ynë simotër në Bosnjë-Hercegovinë.
Po ashtu, Prezenca drejton Grupin e Punës për Çështjet Gjinore dhe Gratë në Vendimmarrje, i cili bashkon grupet e interesit dhe luan rol aktiv për përparimin e pozicionit të grave në shoqëri. Grupi i Punës ka mbledhur rekomandime në lidhje me çështjet gjinore në politikë, të cilat do t’i paraqiten Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Edhe në këtë fushë, arritjet janë të pamohueshme. Shqipëria është e pajisur me legjislacionin e duhur për barazinë gjinore në organet vendimmarrëse dhe në institucionet shtetërore. 41 deputetë të legjislaturës aktuale janë gra dhe ky është numri më i lartë i arritur që nga viti 1990, madje edhe krahasuar me disa vende të Bashkimit Evropian nuk është shumë keq. Kodi Zgjedhor përcakton kuotë prej 30% për gratë që garojnë në zgjedhjet e përgjithshme dhe, çka është padyshim akoma më mirë, një kuotë prej 50% për zgjedhjet vendore. Sidoqoftë, këto arritje nuk duhet të merren për të mirëqena dhe përpjekjet tona të përbashkëta duhet të bëjnë që prirja pozitive të vijojë dhe të mos ketë kthim prapa.
Diçka shumë konkrete në këtë kontekst: Kodi Zgjedhor i mëparshëm përmbante një dispozitë, që lejonte refuzimin e listave të kandidatëve të partive që nuk plotësonin kuotën gjinore ligjore. Kjo dispozitë është hequr në Kodin e tanishëm. Ne rekomandojmë fuqimisht rivendosjen e dispozitës që lejon refuzimin e listave të kandidatëve të partive që nuk plotësojnë kuotën gjinore. Thjesht vendosja e një gjobe për partitë politike, listat zgjedhore të të cilave nuk plotësojnë kuotën gjinore, nuk e çon përpara kauzën e grave në politikë po aq mirë sa refuzimi i listave. Partitë politike duhet të bëjnë më shumë për të siguruar kushtet për pjesëmarrje të hapur dhe të drejtë të grave në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve brenda partive. Kjo tregon se mund të bëhet akoma më shumë.
Megjithatë, përparimet e viteve të fundit më bëjnë të jem optimist. Shpresoj sinqerisht se arritjet për rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe në jetën publike do të ruhen dhe do të çohen përpara. Ndoshta dikur në të ardhmen mund të shohim një grua Kryeministre në Shqipëri, duke ndjekur kështu prirjet evropiane dhe rajonale. Deri atëherë, ne punojmë në mënyrë të përkushtuar që të shohim më shumë gra këshilltare vendore, deputete dhe në poste të larta shtetërore.
Uroj që ky aktivitet të jetë i suksesshëm, që gjetjet e raportit të merren parasysh nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe që Shqipëria të ketë më shumë gra në politikë dhe në poste të larta!