Loading...

SHBA dhe BE vënë kushte: Burg për kupolën politike që qeverisi vendin për 28 vite me radhë dhe gjyqtarët e prokurorët e korruptuar

Nuk ka ndodhur asnjëherë që partnerët tanë ndërkombëtarë të jenë kaq të hapur, të flasin kaq troç dhe “shqip” sa kanë folur këto kohët e fundit.

Nuk e kemi fjalën për gjuhën shqipe që e kanë mësuar shumë ambasadorë të akredituar në Tiranë, duke filluar nga ambasadori amerikan Donald Lu e duke vijuar me ambasadorin austriak dhe të tjerë.

Nuk e kemi fjalën për gjuhen e folur shqipe të ambasadorëve apo partnerëve tanë ndërkombëtarë, që dhe kjo është një shenjë respekti e tyre ndaj detyrës që kryejnë por dhe popullit shqiptar në rastin konkret.

Fjala është për mesazhin që kanë përcjellë partnerët tanë ndërkombëtarë, mesazh që e kanë dhënë në mënyrë shumë direkte dhe të kuptueshme për qytetarët shqiptarë.

Mesazhe që nuk kanë pasur asnjë mundësi të përkthehen ndryshe nga ana e kupolës politike shqiptare, për t’ia servirur pupullit që qeverisin sipas dëshirës dhe volisë së tyre.

Tashmë kur Vettingu është në hapat e para dhe ku më shumë se 30 gjyqtarë dhe prokurorë kanë mbetur në “rrjetën” e tij, partnerët tanë ndërkombëtarë veçanërisht SHBA dhe BE nuk janë aspak të kënaqur me ritmet e deritanishme.

Dhe ambasadori amerikan Donald Lu që deklaroi se Vettingu ka funksionuar dhe nuk ka dështuar, është shprehur se duhet të vijohet më me shpejtësi dhe ashpërsi që për prokurorët dhe gjyqtarët të ketë jo vetëm përjashtim nga sistemi i drejtësisë por dhe përgjegjësi penale.

E thënë shqip: duhet të provojnë burgun për krimet, korrupsionin dhe shkatërrimin e drejtësisë që kanë realizuar gjatë tërë këtyre viteve.

Një gjë të tillë e kanë deklaruar dhe zyrtarë të lartë të vendeve anëtare të BE, veçanërisht ministrat dhe deputetët gjermanë që kërkojnë veprime konkrete.

Dhe sidomos SHBA kur kërkon veprime të shpejta ndaj të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, që kanë pastruar para dhe kanë bashkëpunuar me krimin, ka parasysh ngecjen e hetimit për ish Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Por nga ana tjetër partnerët tanë ndërkombëtarë veçanërisht SHBA dhe BE, kanë kërkuar me insistim dhënien fund të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë dhe politikanëve shqiptarë që kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë krijuar lidhje me krimin.

Pra kanë kërkuar me insistim zbatimin e reformës në drejtësi sa më parë dhe pa asnjë dallim.

Ambasadori amerikan Donald Lu, zyrtarët e lartë austriakë dhe gjermanë, madje së fundmi dhe deputeti i CDU-së, Johann Wadephul në një intervistë për DW kanë deklaruar se zyrtarët e lartë të korruptuar duhet të përfundojnë në burg. Pa asnjë dallim partiak dhe niveli.

Njëherësh qëndrimi ndaj korrupsionit, krimit dhe abuzimit me pushtetin do të shërbejnë dhe si kushte  nëse hapen negociatat e Shqipërisë me BE, ku gjasat janë shumë shumë të pakta që të ndodhin se afërmi.

Partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe BE kanë qënë të qartë dhe në një qëndrim të përbashkët mes tyre, se integrimi i Shqipërisë në familjen e madhe evropiane varet verëm nga dërgimi në burg i zyrtarëve, politikanëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar.

Madje sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndaj s’ka “pirueta” për këtë qëllim./Pamfleti

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com