Në disa dokumente të deklasifikuara të CIA-s thuhet se amerikanët përdorën të gjitha teknikat e mundshme për të rrëzuar Enver Hoxhën. Po ashtu thuhet se një agjent i saj pati një bisedë me ish-Mbretin Zog. Më 1951 ai kërkoi ndihmë nga SHBA-ja nga ku pati edhe biseda me shërbimin sekret sa i takon regjimit të Enver Hoxhës. Sipas “SOT” ai kërkoi ndihmë nga amerikanët për të rrëzuar Enver Hoxhën, nga ku më pas premtoi edhe një qeveri demokratike.
23 gusht 1951
U takova me mbretin Zog në hotelin Mayfloëer më 15 gusht 1952 sipas takimit që kishim lënë, dhe i shpjegova se isha ngarkuar nga ju të dërgoja komplimente dhe të flisja për çështje që mund t’i interesojnë. Prezantova shoqëruesin tim … si një koleg i interesuar në çështjet shqiptare. Mbreti ishte i sjellshëm dhe miqësor. Thelbi i bisedës është si më poshtë. Mbreti shprehu sikletin në lidhje me pozitën gjeografike të Jugosllavisë, pasi sipas tij, Beogradi nuk kishte bërë hapa konkretë për t’u përkushtuar në partneritet me Perëndimin.
Ai përmendi në mënyrë specifike faktin se Jugosllavia nuk ka kërkuar akord dypalësh miqësie me Greqinë e Turqinë, që normalisht duhet të ishim miqtë e saj kryesorë nëse do të ishte kundër bllokut sovjetik. Me gjithë rinisjen e marrëdhënieve me Greqinë, Jugosllavia mbetet armiqësore ndaj saj, ajo nuk ka kërkuar traktat miqësie me SHBA dhe disa individë pro-Tito mbeten në poste të fuqishme në qeverinë e Shqipërisë. Mbreti mendonte se pozita e Titos mund të jetë e dobët në qeverinë e tij pasi ka një numër të madh jugosllavësh pro-sovjetikë në qeveri dhe se shumica e popullit është anti-komuniste.
Fuqia ushtarake jugosllave është e dëshirueshme për Perëndimin edhe nëse cilësia e tyre nuk është e lartë. Prandaj ai tha se Jugosllavia duhet detyruar të qartësojë qëndrimin e saj me njërën palë apo me tjetrën dhe se veprimi i shpejtë në Shqipëri mund t’i shërbejë kësaj kauze sepse përmbysja e regjimit të Hoxhës mund të thyejë rrethimin sovjetik. Një tjetër avantazh do të ishte nxitja e revoltës anti-sovjetike në vende të tjera.
Në lidhje me Shqipërinë mbreti tha se janë katër pika specifike që donte të sillte në vëmendjen e gjeneralit Smith, të cilat janë me rëndësi dhe nga këndvështrimi evropian dhe amerikan. Sipas tij, e para ishte forca e ushtrisë shqiptare prej rreth 100 000 njerëzit prapa kurrizit të Jugosllavisë. Së dyti, sovjetikët po zgjerojnë dhe riparojnë shtatë aerodromet ekzistuese në Shqipëri dhe po ndërtojnë dy pista të tjera.
Fushat ajrore sigurisht që nuk janë për aktivitete kundër Jugosllavisë, pasi për operacionet ajrore ata mund të shfrytëzojnë Bullgarinë e Rumaninë, por supozohet se impiantet ajrore në Shqipëri i shërbejnë funksioneve në detin Mesdhe dhe drejtohen kundër bazave amerikane në Afrikën e Veriut. Më tej Zogu tha se baza Vlorës mund të përdoren për operacionet detare në Adriatik dhe Mesdhe. Ishulli i Sazanit ka mundësi të shfrytëzohet si bazë nëndetësesh me të cilën sovjetikët mund të paralizojnë transportet në Mesdhe dhe në Adriatik.
Si hap të parë në nisjen e veprimit kundër regjimit të Shqipërisë, mbreti sugjeroi dy lëvizje diplomatike nga ana e Shteteve të Bashkuara. Ai tha se SHBA duhet të bëjë një deklaratë publike për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë dhe duhet të nxisë Greqinë, Italinë dhe Jugosllavinë të deklarojnë se nuk kërkojnë pjesë nga territori i Shqipërisë me forcën e armëve dhe se nëse kanë pretendime territoriale do i ezaurojnë ato vetëm me mekanizmat ligjorë dhe të pranuar në Kombet e Bashkuara.
Operacionet
Në lidhje me operacionet në Shqipëri, mbreti sugjeroi tre kurse të mundshme veprimi: I pari ishte pushtimi i vendit nga forcat e armatosura të SHBA, i cili ishte jorealist dhe mund të eliminohet. Më tej ai sugjeroi pushtimin e Shqipërisë me anë të një force të mbledhur dhe drejtuar nga mbreti. Ai tha se mund të mbledhë 8000 deri në 10.000 njerëz nga grupe të ndryshme shqiptare të shpërndara nëpër botë. Por kjo mundësi nuk ishte shumë e dëshirueshme pasi do të interpretohej nga sovjetikët si një akt agresioni nga ana e vendeve nga ku vijnë këta elementë, ose nga vendet ku janë stërvitur e pajisur. Më tej ai tha se regjimi komunist në Shqipëri mund të përmbyset nga një revoltë e zhvilluar nga brenda vendit, e drejtuar nga mbreti.
Në këtë rast të gjitha shenjat do të tregonin për aktivitet spontan të brendshëm që nuk mund të quhet nga sovjetikët ose të tjerë si ndërhyrje apo agresion, prandaj është dhe mënyra më e dëshirueshme për zgjidhjen e problemit shqiptar. Në lidhje me situatën aktuale në Shqipëri, mbreti përmendi interesin sovjetik në fushat ajrore dhe shpjegoi se informacionet e tij janë sipërfaqësore pasi kishte hasur vështirësi në dërgimin e agjentëve.
Ai shtoi se ka një numër të madh trupash sovjetike në vend dhe kur u pyet për to tha se ishin specialistë të ndryshëm dhe trupa taktike. Ai llogariste se trupat e ushtrisë shqiptare llogariten në rreth 50.000 dhe përveç tyre kishte një brigadë të vogël komunistësh grekë, një brigadë kroate dhe një brigadë malazeze me komunistë anti-Tito. Ai tha se njësitë jugosllave janë sa një batalion megjithëse quhet brigada. Në forcat e armatosura kanë një numër të madh oficerësh besnikë të Zogut që do të dezertonin në rast revolte dhe do të ktheheshin kundër regjimit.
Ai sinjalizoi se në vend ka rreth 2000 rezervistë me eksperiencë lufte dhe që do të mund të drejtonin operacionet kundër qeverisë. Zogu tha se një numër zyrtarësh të administratës së Hoxhës janë në fakt besnikë të tij dhe do të ktheheshin kundër regjimit nëse i kërkohej. Në lidhje me komitetin e shqiptarëve të sponsorizuar nga Jugosllavia, Zogu tha se grupi kontrollohet nga komunistët por jugosllavët nuk po ushtrojnë presion politik mbi anëtarët për momentin. Ai përmendi një letër të marrë nga një prej ndjekësve të tij Nik Vukashin, i cili është një prej drejtuesve të brigadës “Koçi Xoxe” diku në luginën e Vardarit.
Zogu tha se komiteti jugosllav i shqiptarëve përbën një problem serioz dhe përsëriti mbështetjen e tij për punën e Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë në Romë dhe Nju Jork, duke deklaruar se dëshironte të mbante lidhje me të. Biseda u zhvillua në disa linja të tjera të përgjithshme, teksa mbreti deklaroi se kishte folur me disa zyrtarë të lartë amerikanë për urgjencën e veprimit në Shqipëri. Zogu përmendi nevojën për të vepruar kundër Kinës, e cila nën udhëheqjen sovjetike përfaqëson një masë të madhe ushtarake që mund të përdoret kundër SHBA dhe Perëndimit, prandaj ai sugjeroi asistencë ndaj opozicionit të Çang Kai Shi.
Për Lindjen e Mesme ai sugjeroi se duhej vepruar për zgjidhjen e çështjes mes Izraelit dhe Palestinezëve, pasi SHBA ka fuqinë për të vendosur për zgjidhjen e konfliktit. Më tej ai kërkoi ndihmë për kurdët e sudanezët kundër lëvizjeve sovjetikë drejt Lindjes së Mesme dhe Kanalit të Suezit. Ai përmendi nevojën e ndihmës për kurdët në rajonin e Gjirit të Iskanderon, para se komunistët të depërtojnë zonën. Në konkluzion mbreti më kërkoi të siguroj eprorët se interesi i tij ndaj veprimit amerikan në Shqipëri nuk bazohet në dëshirën e rivendosjes së fronit, por thjesht në interesin patriotik shqiptar dhe në bindjen e tij se mund të japë kontribut.
Ai merr përsipër të ftojë një grup të sponsorizuar nga OKB për krijimin e regjimit të pas-revoltës, të zgjedhur nga popull shqiptar. Ai tha se është në dispozicion të qeverisë së SHBA për ndihmë. Në lidhje me arsyen e vizitën këtu, Zog tha se kishte ardhur për të zgjedhur një shkollë për të birin, i cili është 12 vjeç dhe dëshiron të studiojë në SHBA.
18 prill 1952
Rinisja e operacioneve ajrore të propagandës në Ballkan
Si pjesë e operacioneve të luftës psikologjike të projektit në Shqipëri, BGFiend, CIA ka nisur një program lëshimesh ajrore fletushkash dhe furnizimesh mbi Shqipëri, me rezultate shumë të mira. Lëshimet po kryhen nga avionë klandestinë, të cilët përveç fletushkave të propagandës hedhin dhe disa artikuj shtëpiake apo ushqimore në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë. Lesimet janë konfirmuar nga brenda vendit dhe janë evidentuar gjithashtu nga sulmet verbale të udhëheqësit Enver Hoxha në kongresin e fundit të partisë komuniste, ku ai foli për “kriminelë lufte dhe reaksionarë që duke përdorur mjetet e vëna në dispozicion nga imperialistët anglo-amerikanë lëshojnë fletushka të ndyra dhe ushqim të helmuar”.
Megjithëse referenca ndaj “ushqimit të helmuar” ka si qëllim të dekurajojë shqiptarët të marrim artikujt e lëshuar në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, koha e bërjes së akuzave nga Hoxha koinçidon me fushatën e sponsorizuar nga sovjetikët të luftës bakteriologjike, prandaj ne besojmë se do të ishte mirë që fushata e lëshimeve të propagandës të pezullohej për dy apo tre javë, në mënyrë që bëhet vlerësimi i situatës dhe të përcaktohet se kujt i leverdisin më shumë këto operacione. Vendimi për pezullimin e operacioneve ka qarkulluar vetëm gojarisht.
Më shumë se dy javë kanë kaluar nga pezullimi i operacioneve ajrore të propagandës në Shqipëri. Meqenëse planet operacionale të projektit për Shqipërinë janë të lidhura ngushtë me projektin britanik, lëshimet e broshurave bëhen në intervale prej 6-8 javësh dhe tashmë nevojiten instruksione nëse programi do të rifillojë apo do të vazhdojë sipas programit fillestar.
Ne besojmë se lëshimi i sendeve si gjilpërat nuk mund t’i japë argument udhëheqjes komuniste shqiptare të ngrejë akuza kundër nesh në kuadër të propagandës së luftës bakteriologjike. Çdo vendim nga ana jonë për të shtyrë më shumë operacionet do t’i jepte atyre mundësinë për të na detyruar të ndalojmë një veprim nga i cili ata tmerrohen dhe sikletosen shumë.
Prandaj propozohet rinisja e operacioneve të lëshimit të broshurave të propagandës dhe artikujve jo-ushqimore në zonën e Ballkanit, sipas planeve aktuale. Për këtë kërkojmë miratimin tuaj. Presim që mundësia e lëshimeve të sendeve ushqimore të qartësohet brenda dy ose tre javësh. Do të komunikojmë me ju për rekomandime për të ardhmen.
Një gjë është e qartë, kjo është fakti se duke ngritur çështjen e ushqimit të helmuar dhe fushatës në vazhdim të luftës bakteriologjike, komunistët ia arritën të ndalonin operacionin klandestin i cili po kthehej në nj problem shqetësues për ta.
1 prill 1953
Broshura e lëshuar nga Komiteti Shqipëria e Lirë
Pakti turko-greko-jugosllav, lajm i mirë për Shqipërinë! Që të qëndrojnë në fuqi Enver Hoxha me këlyshët e tij, ata e dinë se duhet të ruajnë gjendjen e frikës dhe të pasigurisë së jashtme. Për këtë ata mundohen t’i mbushin mendjen popullit se rrëzimi i tyre do të ishte rrëzim i atdheut tonë të dashur. Ata bëjnë gjithçka për të bindur të gjithë botën se fqinjët tanë kërkojnë të dhunojnë kufijtë e Shqipërisë, të aneksojnë tokat tona dhe të shuajnë kulturën tonë. Ata duan të bëjnë që populli të besojë se rënia e tyre do të ishte vdekja e Shqipërisë, por kjo është një gënjeshtër me bisht.
Ardhja e tyre në pushtet i ka sjellë veç mjerim për popullin tonë dhe është pengesa e vërtetë që populli ynë të shpëtojë nga paqja. Kohët e fundit o bashkë-atdhetarë, gënjeshtrat e tyre janë shtuar edhe më shumë. Ata po përpiqen të nënvlerësojnë rëndësinë e paktit turko-greko-jugosllav, duke ju bërë të besoni se është në dëm të Shqipërisë, dhe se qëndrimi i tyre në pushtet është i vetmi shpëtim për atdheu tonë. Kjo është një gënjeshtër e madhe. Pakti ballkanik i nënshkruar nga Turqia, Greqia e Jugosllavia në Ankara me 28 shkurt 1953, dhe është një garanci më shumë nga fqinjët tanë për të respektuar pavarësinë e Shqipërisë dhe integritetin e kufijve tona kombëtare.
Le ta shqyrtojmë me vëmendje dhe me urtësi këtë çështje: Tre fqinjët tanë, me gjithë mosmarrëveshjet mes tyre, u kuptuan së fundmi se duhet të jenë të bashkuar për t’u mbrojtur nga një agresion i mundshëm rus. Solidariteti mes tyre shton shpresat e kombeve fqinje që ndodhen nën zgjedhën e kuqe.
Duke mbajtur dhe duke mbrojtur identitetin e tyre vetjak, ata u hapin rrugë miqve të tyre të shtypur për të thyer prangat e skllavërisë që po i mbajnë të lidhur dhe të krijojnë një mburojë kombesh të forta që mund t’i tërheqin me vete. Marrëveshjet tregtare mes vendeve të lira ballkanike sjellin përfitime materiale për të gjithë, sjellin kushte më të mira jetese dhe më shumë punë. Pakti mes Turqisë, Greqisë dhe Jugosllavisë ka sjellë efekte të mira për vendet e Perëndimit të lirë. Këto vende e pranojnë se marrëveshja i bashkon miqësisht vendet në ruajtjen e identitetit të tyre kombëtare. Motra e vëllezër shqiptarë!
Mos u mashtroni nga shërbëtorët që kanë si qëllim t’i shërbejnë vetëm padronëve të tyre të Moskës. Pakti i nënshkruar nga Turqia, Greqia e Jugosllavia është i mirë për shqiptarët liridashës, dhe është hapi i parë i krijimit të një atmosfere rajonale ku mund të rikthehet liria e Shqipërisë. Vdekje Komunizmit! Komiteti Shqipëria e Lirë
Polakët dhe hungarezët përmbysën klikat e Kremlinit
Ndërhyrja e armatosur sovjetike dënohet nga Kombet e Bashkuara
Shqiptarë, motra e vëllezër!
Përpjekjet e klikës Hoxha-Shehu për të mbajtur njerëzit në errësirë kanë dështuar. Shqiptarët e dinë tashmë për përpjekjen e lavdishme të polakëve dhe hungarezëve, kundër imperializmit sovjetik. Më 28 qershor punëtorët e Poznan u ngritën dhe kërkuan liri dhe bukë. Klika e Kremlinit refuzoi t’i dëgjonte ankesat e tyre legjitime, prandaj punonjësit U REVOLTUAN! Njerëzit e vazhduan rezistencën e tyre derisa qeveria pranoi se punëtorët kishin të drejtë dhe premtuan të korrigjonin padrejtësitë. Por udhëheqja nuk bëri asgjë. Kështu që më 20 tetor,e gjithë Polonia u ngrit si një e vetme dhe ushtria refuzoi të zbatonte urdhrat e oficerëve sovjetikë. Ata larguan me forcë klikën e Kremlinit të drejtuar nga gjeneral Rosokovski.
Udhëheqësi anti-sovjetik Gomulka i lirua nga burgu dhe mori drejtimin e vendit. Presioni i vazhdueshëm i popullit detyro sovjetikët të tërheqin trupat e tyre nga Polonia. Udhëheqësit fetarë u liruan nga burgu dhe u rivendosën në postet e tyre. Presioni i popullit vazhdon! Më 23 tetor populli hungarez, duke parë fitoren e popullit polak, nisën demonstratat për bukë dhe liri. Klika e Kremlinit dhe trupat sovjetike tentuan të nënshtronin turmat demonstruese dhe shpërtheu lufta. Ushtria dhe forcat ajrore hungareze iu bashkuan popullit kundër trupave sovjetike, dhe populli fitoi një betejë të përgjakshme por të lavdishme!
Qeveria kukull e sovjetikëve me Geroe dhe Hegedus u përmbys. Në pushtet erdhën Nagi e Kadar. Hungarezët e vazhduan presionin e tyre dhe sollën në pushtet koalicioin e ri me parti anti-komuniste. Ata anuluan fuqitë e policisë sekrete, anuluan kooperativat dhe rivendosën pronën private! Anëtarët të penduar të partisë dënuan të kaluarën e tyre dhe ndihmuan në luftën e popullit për liri. Por teksa populli po konsolidonte frytet e fitores së tij, forcat e armatosura sovjetike hynë tradhtisht në Hungari.
Kjo vërtetoi se komunizmi është vetëm një maskë e imperializmit sovjetik. E gjithë bota shprehu admirimin e saj për kurajën e hungarezëve dhe polakëve. Presidenti amerikan Ajzenhauer, udhëheqësit e botës së lirë, këshilli i sigurimit të OKB, të gjithë dënuan ndërhyrjen e BRSS në Hungari. Bota perëndimore po dërgon ndihma mjekësore dhe ushqimore. Hungarezët dhe polakët preferuan të luftonin në vend që të ndiznin në skllavëri! Sakrifica e tyre nuk ishte e kotë sepse ka siguruar fitoren e plotë të njerëzve mbi skllavërimin sovjetik. Shqiptarë! Liria fitohet vetëm me përpjekje të vazhdueshme!