Adresimi i problematikave të mbetjeve në qarkun e Vlorës është në fokus të qeverisë shqiptare.
Në prezantimin e projekteve investuese në Vlorë, zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati deklaroi sot se “pavarësisht se ky është detyrim i qeverisë vendore, duke marrë parasysh që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e njerëzve, mjedisin, ekonominë dhe zhvillimin në tërësi, qeverisja qendrore ka një plan agresiv për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme si nga pikëpamja e mbështetjes me investime infrastrukturore, ashtu edhe me krijimin e një asistence teknike për gjithë pushtetin vendor”.
“Ne kemi finalizuar masterplanin e mbetjeve, i cili është një qasje krejtësisht e ndryshme nga ajo e mëparshmja. Pra nëse më përpara kishim 373 njësi vendore me ndarjen e vjetër administrative, ku gjithësecila hidhte mbeturinat nëpër lumenj, sot e kemi të ndarë në 10 zona mbetjesh. Do jenë 10 vendgrumbullime mbetjesh për të gjitha bashkitë. Brenda kësaj ndarje të re, Qarku i Vlorës është i ndarë në dy rajone, në veri dhe në jug, pranë Parkut të Llogarasë”, – tha zv.ministri.
Ai tha se tashmë është ndërtuar landfilli i Bajkaj. “Ky landfill i shërben gjithë bashkive të rajonit jug, ku përfshihen bashkia e Sarandës, Finiqit, Delvinës dhe Konispolit, me një sipërfaqe prej 58 mijë m2 dhe me kapacitet depozitimi 365 mijë m3 për një periudhë 20-vjeçare. Aktualisht zona e jugut është e mbuluar dhe shumë shpejt do fillojë investimi për landfillin që mbulon pjesën veriore të Vlorës dhe do gjejë zgjidhje të qëndrueshme për dy bashki, për Vlorën dhe për Selenicën, me vlerë investimi prej 24 milionë eurove, e cila do jetë zgjidhje e qëndrueshme për 20 vjet”.
Aktualisht, vijoi Bonati, jemi në fazën e dizajnit teknik dhe pritet që në verën e vitit 2019 të fillojnë punimet. Sipas tij, operimi i këtij landfilli do të fillojë në vitin 2021 dhe paralelisht pranë bashkisë së Vlorës do të jepet edhe mbështetja për gjithë pjesën infrastrukturore.
Bonati tha se komponent i këtij projekti janë edhe depozitimet aktuale, të cilat do të mbyllen.
“Nëse ne duam të kemi sukses në menaxhimin e mbetjeve, vlen të përmendet që dhe miradministrimi është një nga çelësat e suksesit dhe pikërisht për këtë, mbështetja do të jetë edhe për operimin e menaxhimit, monitorimit, ndarjen e diferencuar dhe metodologjinë e diferencuar të mbetjeve”, – përfundoi Bonati./atsh