Më 5 prill të vitit 1816 topi krisi njëzet e një herë nga kulla në bashin e kalasë së Kastros. Gjëmuan këmbanat në Janinë dhe në tërë Greqinë: Ali Veziri 73-vjeçar martohej me Vasiliqi Kondakçiun tetëmbëdhjetvjeçare.
Nuk do të bëhej dasmë, po një celebrim brenda sarajeve dhe nuk do të pranoheshin peshqeshe. Edhe kjo ishte një gjë e re, sepse për herë të parë Veziri nuk shikonte anën tregtare të një krushqie.
Po e fshehta e kësaj martese mbetet shkaku i saj, që askush nuk arrinte të kuptonte. Hamendja të çonte te ndonjë nga ato trillet e moshës së vonë që diku e pushtojnë njeriun. Veziri kishte qenë gjithnjë i dhënë pas grave, megjithëse e mbante sa më mbuluar këtë anë të jetës së tij.
Po edhe kjo hamendje binte, po të kujtoje se Vasiliqia ishte një robinë në haremin e tij dhe ai, si njeri që nuk shpenzonte kurrë diçka pa ndonjë qëllim, s’kishte pse të kërkonte dashurinë e saj me anë të martesës. E vërteta mbetej e groposur ndërmjet atyre të dyve.
Katër vjet më parë Aliu kishte shkuar në Plishevicë të Filatit për të kapur ca njerëz që bënin para kallpe me makina të dërguara nga francezët e Korfuzit. Kjo ishte një nga ato mjetet e fshehta të rrezikshme të luftës që synojnë prishjen e konomisë së kundërshtarit.
Aliu i gjeti në punë e sipër, u preu kokat jo vetëm atyre, por dhe tërë meshkujve të lagjes, ndërsa zjarri përpinte fshatin. Po jepte një ndëshkim që të dëgjohej larg.
Ai ishte duke ecur nëpër rrugët e fshatit në flakë, kur u shfaq para tij një vajzë e njomë, që bridhte si një kaproll i ndjekur. Vajza u ndal duke kërkuar me mendje drejtimin që duhet të merrte, sepse nga çdo anë kishte ushtarë.
Po nuk vrapoi, eci si në ëndërr drejt Vezirit, si e vetmja pikë ku mund të mbështetej, pa ditur me të cilin kishte të bënte.
Dridhej e tëra dhe me njërën dorë mbulonte rrobën e grisur në ijë. Veç tmerrit, Aliu pa në sytë e saj diçka që kishte të bënte me pastërtinë dhe thjeshtësinë e shpirtit.
Sytë e një vajze katërmbëdhjetvjeçare gjithnjë të bëjnë të mendohesh, të kujtojnë një udhëtar që ndalet një hop në udhëkryq.
Ajo vajzë e kishte të shkruar në sy rrugën e saj:ajo do të ishte gjithnjë e mirë, e butë, e dhembshur, pa asnjë shtirje me një bukuri të pashoqe.
Kjo bindje, e sajuar aty për aty, i shkoi Aliut në shpirt, ia mori vajzës fytyrën në duar dhe e pa nga afër, zuri t’i fliste, duke harruar veten dhe të tjerët.
Ajo ndjeu ngrohtësinë dhe mbrojtjen që i jepnin ato duar dhe hapi sytë e mëdhenj të shihte më mirë. Ai njeri ishte shpëtimi në një botë që po përmbysej në krisma, në britma e gjak.
Aliu po i thoshte se çdo gjë e keqe kaloi. Vajza u kthye me mendje tek ato që kishte parë, tek koka e prrë e të atit, tek ushtarët, të cilëve u iku nëpër duar, dhe zuri t’i merrej fryma.
Po në të njëjtën kohë dëgjonte zërin e mirë, të vërtetë e sundues të njeriut të habitshëm që po i fliste. Që ky ishte i rënë nga qielli, kuptohej edhe nga heshtja e thellë rreth tij: askush nuk bënte asnjë lëvizje.
Në ato çaste u lidh ndërmjet tyre një miqësi që do të kalonte nëpër rrugë të panjohura, por që nuk do të këputej kurrë. Vit pas viti Aliu pa se Vasiliqia ishte njeriu që i duhej.
Shpirti i tij, krejt i vetmuar dhe gjithnjë në shtrëngata të mëdha, duhej të kapej diku. E bëri vajzën dhe sekretaren e tij të besuar dhe aq më mirë që prehja e shpirtit pajtohej dhe me politikën, se me këtë martesë ai shpallte bashkimin e myslimanëve e të krishterëve.
Aliu e pyeti Vasiliqinë nëse donte të ndërronte fenë, që ta kishte më të sigurt të ardhmen.
-Një grua që heq dorë nga Perëndia e saj, s’mund të jetë besnike e një Perëndie tjetër imzot,-u përgjigj ajo.
Aliu qeshi. Këtë e kishte thënë vetë për njerëzit që ndërrojnë zot. Vinte re me gëzim se ajo nguliste në mendje çdo gjë të dëgjuar prej tij. I la të drejtën të falej e të kungohej në dhomat e saj, të mbante kryqe e ikona.
Bënin shaka në kafenetë e Janinës, thoshin se kryemyftiut gati i qe shkrehur të vjellët, ngaqë Veziri mbante erë temjani. Po ai I kalonte me ndonjë tallje këto shaka. Gjithnjë ishte tallur me fanatikët fetarë të paditur.
_Tani i ke të gjitha, si një mbret, imzot,- i tha Vasiliqia Aliut.
Kishte parë pallatet e tij në qytete e në vendet e pushimit, xhevahiret e stolitë që të verbonin, salltanetet që të merrnin mendjen.
Ajo ishte truphollë, po me një shëndet të mirë. Vishte shpesh një fustan mëndafshi ngjyrëvjollcë deri në fund të këmbëve, me jakën e mbyllur të qëndisur rreth grykës e me dantella të qëndisura edhe rreth duarve, kurse në mesin e ngushtë mbante një brez me fije argjendi. Lëkundej lehtas në ecje, po ashtu ishin të ecurit e saj.
Me ndjesinë e hollë të gruas së zgjuar kishte kuptuar se i shoqi i gëzohej me gjithë shpirt ashtu siç dhe ajo duhej të bënte kujdes të ishte e bukur, po pa asnjë shtirje. Flitej nën zë edhe nga të huajt se ishte gruaja më e bukur e Greqisë.
Ishte si një mirësi e qiellit, sepse orët e lira Aliu ia kushtonte asaj dhe ra në qetësi nga epshet e forta, që më parë i hanin një pjesë të mirë të kohës e diku i hapnin dhe telashe.
-Ta dinin njerëzia sa më rëndon gjithë ky salltanet, do t’u vinte keq për mua,-tha Aliu duke nënqeshur, me rrudhat pak të thelluara në fytyrën e madhe.
–Po ti e di,-tha prapë me shpirtin në prehje:’gjëja më e çmuar e më e rrallë është të kesh pranë një grua që i di dhe i kupton të gjitha.
Ajo njihte tani të kaluarën e tij që nga fëmijëria, pa zbukurime e hollësi të trilluara, dhe shihte të sotmen:burri i saj jetonte dramën më të thellë që mund të jetojë njeriu, duke e mbajtur të gjithë vetë. Ai ishte përherë në kundërshtim me të tjerët, me familjen, me vetë Perëndinë.
Nga njëherë ngasja e nevoja e kishin shtyrë të bënte dhe atë që nuk donte, dhe paguante për to, duke rënë në kundërshtim dhe me vetveten. Shpirtin e burrit të saj ajo e shihte në netët e tij, jo njëherësh, por përherë nga pak dhe sa më tepër e njihte plakun, aq më fort lidhej me të… /Konica.al