Himara ka një potencial të madh zhvillimi jo vetëm të ekonomive familjare, por edhe ekonomisë kombëtare, ndaj qeveria është e përqendruar me projekte e investime konkrete.
Në vijim të turit të llogaridhënies publike, Kryeministri Edi Rama, u ndal sot në Himarë, ku zhvilloi një takim me banorët e zonës.
Bashkëqeverisja me qytetarët, sipas Ramës, është një sfidë e madhe për ta kthyer në çdo hap, në një koalicion real të qeverisës së Partisë Socialiste me njerëzit e zakonshëm për Shqipërinë që duam.
“Më vjen shumë mirë që kemi mundësinë të komunikojmë drejtpërdrejtë në një fushatë llogaridhënie, e para si eksperiencë e një partie qeverisëse që takohet me njerëzit në këtë format, jo për arsye zgjedhjesh apo votash, por për të ndarë çfarë kemi bërë dhe duhet të bëjmë”, – tha Rama.
Rama theksoi se “nuk ka njeri që nuk e sheh ndryshimin e madh në të gjithë bregun e Jonit dhe çfarë ndryshimi ka filluar të materializohet në gjithë bashkinë e Himarës”.
“Himara nuk i takon vetëm himarjotëve, por të gjithë vendit, për shkak të një potenciali të madh zhvillimi dhe kontributi të madh jo vetëm për ekonomitë familjare, por edhe në ekonominë kombëtare”, – tha Rama.
Investimet, sipas tij, shkojnë në drejtim të nxitjes ekonomike. “Këtu kemi investime private duke filluar nga investimet e vogla të atyre që mund t’i transformojnë shtëpitë në bujtina mikpritje, deri në investimet e mëdha për infrastrukturë e standarde”, – tha Rama./lexo.al