Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi një seancë dëgjimore me gjyqtaren e Apelit Vlorë Brikena Ukperaj (Lubonja), vendimi i cili do të merret në 25 qershor.
Trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari, Etleda Çiftja do të shqyrtojnë dosjen e gjyqtares bazuar në tre kritere, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësimin profesional.
Brikena Ukperaj (Lubonja) është edhe kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Relatorja Etleda Çiftja tha se ILDKPKI ka paraqitur raport pozitiv dhe se gjyqtarja nuk ka fshehur pasurinë dhe nuk ka deklarim të rremë.
“Hetimi u përqendrua në një apartament në Tiranë të blerë në vitin 2012 në Selitë dhe një makinë”, tha realtorja.
Po ashtu është hetuar edhe bashkëshorti për pjesën që i takon prej 50%.
Relatorja Etleda Çiftja tha se “Ka pasur 12 denoncime nga qytetarët në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit”. Por sipas relatores, komisioni ka arritur në konkluzionin se denoncimet mund të zgjidhen në rrugë gjyqësore.
Nga ana e saj gjyqtarja Ukperaj tha se është njohur me materialet dhe se i qendron te gjitha atyre qe ka shpjeguar.
“Mendoj se bej pjesen e shendoshe te sistemit”, ka thënë Ukperaj përpara KPK.
Vendimi do te jepet me 25 qershor.
Ukperaj e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 2006 me mbarimin e Shkollës së Magjistraturës. Ajo ka ushtruar funksionin e gjyqtares në Gjykatën e Tiranës, në atë të Lushnjes dhe prej nëntorit 2016 është anëtare e Gjykatës së Apelit në Vlorë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Brikena Ukperaj (Lubonja) nga viti 2006 deri në fund të vitit 2016.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Ukperaj zotëronte rreth 247 mijë lekë pasuri përpara fillimit të detyrës në vitin 2006. Në fund të vitit 2016, pasuria familjare e saj kap vlerën e 7.7 milionë lekëve ku pjesën kryesore të rritjes e përbën blerja e një apartamenti.
Në vitin 2012, gjyqtarja ka blerë një apartament në Selitë të Tiranës me vlerë 44 877 euro. Burimi i kësaj pasurie është një kredi bankare prej 5 milionë lekësh si dhe 9 mijë euro hua të marrë nga prindërit, shumë e cila rezulton e pashlyer deri në fund të vitit 2016.
Paralelisht me apartamentin, gjyqtarja e Apelit zotëron likujditete në bankë në vlerën e rreth 400 mijë lekëve si dhe pasuri të luajtshme në rreth 1 milion lekë.
Të ardhurat familjare të gjyqtares Brikena Ukperaj (Lubonja) për periudhën deklaruese kapin vlerën e 13.7 milionë lekëve, ku pjesa dërrmuese përbëhet nga paga e saj dhe e bashkëshortit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 11 deklarata pasurie, të cilat rezultuan të gjitha pa probleme./gjurma