Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edmond Spaho e ka quajtur të paprecedentë atë çfarë ndodhi sot në parlament. Spaho tha se nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e parlamentarizmit që të pritet fjala e opozitës.
“Ka pothuajse 4 muaj që ne po përpiqemi të tërheqim vëmendjen e maxhorancës në mënyrë që të arrijmë të plotësojmë kushtet më të domosdoshme për hapjen e negociatave për të cilën vendimi merret javës tjetër në samitin e 28-29 qershorit. Seanca e sotme e paprecedentë. Nuk ka ndodhur në historinë e parlamentarizmit që të pritet fjala e opozitës.
Sot me propozim të kreu të grupit të PS-së u kaluan të gjitha pikat e rendit të ditës dhe u kalua në votim. Pati një tentativë madje të Ruçit për ta bërë pa votim. Por kur ndërhyra u bë me votim.
Kjo është e paprecedentë. Tregon që opozita mund të shprehë opionionet e veta vetëm kur do maxhoranca”, deklaroi Spaho.
I pyetur se në çfarë pozicioni e vendos opozitën kjo situatë, Spaho tha atë të përplasjes.
“E vendos në pozicion të përplasjes frontale me maxhorancën. Opozita ka vetëm fjalën në Kuvend dhe nëse i heqim dhe fjalën, atëherë këtu s’ka më parlamentarizëm. Opozita kthehet në fasadë të maxhorancës dhe për rrjedhojë vendi s’ka më demokraci, kthehet në diktaturë”, u shpreh deputeti i PD.
Sipas tij Shqipëria nuk ka përmbushur asnjë kusht për hapjen negociatave dhe kjo është arsyeja që PD dhe opozita në çdo seancë ka kërkuar të flitet për këtë çështje.
“Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk jemi në një situatë normale, por anormale dhe të diskutosh për çështje të rendit të ditës, që presin, ndërkohë që emergjenca është integrimi europian nuk është e udhës”, u shpreh Spaho në “Opinion”.
Sa i përket paralajmërimeve të opozitës për fakte të reja që implikojnë qeverinë në afera të dyshimta, Spaho tha se “në kohën dhe vendin e duhur do të shihni që do zbulohen fakte të tjera”.
“Edhe afera e vëllait të Xhafajt nuk është ashtu siç thotë qeveria. Tani po ngurrojnë të vijojnë edhe skenarin e përgatitur për çështjen e zërit sepse iu dogj nga opozita”, u shpreh deputeti i PD-së.