Përplasja mes kreut të opozitës Lulzim Basha dhe atij të mazhorancës Edi Rama po merr gjithnjë e më shumë trajtat e një “spazme politike”.
E thënë më thjeshtë që, përjashtuar kauzave të rastësishme që Lulzim Basha që nga Holanda dirigjon përmes Mul Nokës, çunit të Fahri Balliut dhe Albana Vokshit apo dhe përzierja në debatin për Teatrin e ri, pjesa tjetër është një opozitë prej zorit.
Siç e bën zakonisht Lulzim Basha i cili mendjen e ka më shumë për të ikur, qëndruar në Holandë dhe për të mbyllur ndonjë pazar me kryeministrin Edi Rama, që sjell ndonjë lek në arkën e tij dhe të familjes.
Por që nuk harrojnë asnjëherë të lëshojnë deklarata dhe kërcënime ndaj njëri tjetrit sa për të thënë se janë kundërshtarë politikë dhe vendi gjendet nën një politikë normale, ku ka mazhorancë qeverisëse por dhe opozitë, gardiane të qeverisjes.
Kështu ka ndodhur dhe këto ditët e fundit, ku kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha me deklaratat e tyre në media, bëjnë paralajmërime të forta për njëri-tjetrin.
Gati çdo ditë mbajnë me mendje të ngritur jo vetëm partitë dhe mbështetësit e tyre por dhe opinionin publik, në pritje të “shpërthmit” së radhës që do të publikojnë.
Si Rama ashtu dhe Basha lëvizin nëpër të njejtat “korsi” kur vjen puna për të shuar një debat politik, përmes nxjerrjes së një tjetri që bën që të harrohet i pari.
Një skenar i mirëfilltë që deri më tani ka dhënë rezultate konkrete dhe ka mbajtur në lojë fort Ramën dhe Bashën, të shtrënguar fort pas njëri tjetrit.
Të gjithë shqiptarëve u kujtohet momenti i sekuestrimit të 613.3 kilogramëve kokainë që vinte nga Kolumbia në portin e Durrësit dhe Maminas kohë më parë.
Opozita përmes Lulzim Bashës, Sali Berishës dhe tërë “zarave” të tjerë të PD në qarkullim reagoi fort duke akuzuar qeverinë si qeveri të drogës dhe Ramën si bashkëpuntor të karteleve kolumbiane të kokainës.
Kryeministri Rama e “lejoi” opozitën të shprazte të gjitha akuzat e mundshme ndaj tij dhe kur e pa të arësyeshme se duhej thënë “mjaft”, u kundërpërgjigj po me deklarata të forta, teksa paralajmëroi se për pak ditë do të dalin lidhjet e zyrtarëve të lartë të PD-së me këtë sasi rekord droge të kapur në vendin tonë.
Rama reagoi duke përmendur si pa dashje dhe mbiemrin “Kuliçi” të pronarit të kontenierëve të bananeve ku u gjet tërë sasia e koalinës, Arbër Çekajt(Kuliçit).
Mesazhin e merr të qartë Lulzim Basha, kreu i opozitës, se debati i kokainës duhet mbyllur sa më shpejt dhe për këtë duhej hapur një “lojë” tjetër për të tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar. Hidh e prit me një fjalë.
Basha nxjerr në media deputetët e tij, të cilët paralajmërojnë publikisht se do të nxjerrin një tjetër videopërgjim, sipas tyre për një tjetër ministër të Ramës të përfshirë në akte kriminale.
Kaluan javë dhe as Rama nuk nxori lidhjet e zyrtarëve të lartë të PD me trafikun e mbi gjysmë toni kokainë kolumbiane në Durrës dhe as Basha nuk nxori videopërgjim tjetër për një ministër të kabinetit qeveritar të Ramës si të përfshirë në akte kriminale.
Të gjitha këto mbeten deklarata në media për konsum politik, duke treguar qartë sërish se Rama dhe Basha mbajnë në këmbë njëri-tjetrin, qoftë dhe përmes këtyre kërcënimeve asnjëherë të bëra realitet por thjeshtë dhe vetëm për të “qënë brenda”.
Pra sapo përflitet një skandal i qeverisë së Ramës përmes tij apo ministrave të tij, direkt e mbulon “kundërshtari” i tij Basha duke tërhequr vëmendjen me një tjetër çështje dhe nga ana tjetër me deklarata publike shantazhojnë njëri-tjetrin, por që ata e quajnë debat politik.
Ndërkohë në media asgjë nuk është publikuar nga ato që kanë paralajmëruar.
Një “binom” politik që po funksionon “sahat” sëpaku që nga 18 maji i vitit të kaluar e deri më tani.
Dhe që pritet të funksionojë akoma më gjatë, pasi partnerët tanë ndërkombëtarë kërkojnë gjithnjë e më shumë konsensus politik mes palëve për negociatat me BE.
Teksa paralajmërohet hapja e negociatave me BE me kusht për Shqipërinë, aleatët tanë kërkojnë konsensus mes PD dhe PS për të realizuar reformat.
Dhe konsensusi mes një partie që ka gati shumicën e cilësuar të votave si PS dhe një partie tjetër në opozitë të dobët si PD bëhet vetëm në kushtet e një qeverie me bazë të gjërë koalicioni.
Jo pa qëllim Edi Rama në tre intervista rresht për gazetat austriake dhe gjermane ka deklaruar se ai është gati të bëjë çfarë të kërkojnë partnerët tanë ndërkombëtarë, vetëm e vetëm që të hapen negociatat e Shqipërisë me BE.
Pra dhe një bashkëqeverisje me PD, tashmë në dritë të diellit?!
Shtatori kur janë paralajmëruar ndryshimet në qeveri dhe tre muaj kërkon që të vijë, dhe do të shohim deri ku do të shkojnë lëshimet e Ramës.
Por Rama ka treguar se ai lëshon pushtet vetëm për të ruajtur karrigen e tij të kryeministrit, marrëveshja e 18 majit e tregoi këtë, ku një muaj para zgjedhjeve i dha Bashës 2/3 e pushtetit.
Pushtet të cilin e fitoi në zgjedhjet e 25 qershorit të vitit të kaluar, me një numër votash më shumë, që i mundësonin një qeverisje vetëm dhe pa asnjë aleat, përfshirë dhe LSI.
Dhe lojën e dekonspiron akoma më shumë aleati i Bashës dhe deputeti i listës së PD, kryetari i LZHK Dashamir Shehi, i njohur dhe për gjuhën e tij të drejtëpërdrejtë.
Shehi thotë se këto janë llogaritjet propagandistike të Ramës, për tu dukur mirë në sytë e Europës, e për të përfituar favore.
“Shqipëria nuk ka as kapacitetet për këtë punë. Rrezikon shumë. Kush do ta shkatërrojë edhe këtë pak mirësi që na ka mbetur, në lidhje me fenë, në funksion që të përfitojë diçka.
Ndonjë shkelje syri, kjo është gabim”, thotë aleati i Bashës në lidhje me të ashtuquaturën kampe refushatësh sirianë në Shqipëri. Një tjetër lojë e Ramës për të larguar vëmendjen.
Por Dashamir Shehi ka të tjera këshilla se si mund të merret një “PO” në fund të këtij muaji, nga Brukseli për negociatat.
“Do zoti Rama për Europën, meqë ky bën çdo sakrificë për Europën, t’i heqë ata ministra që thotë opozita. Të marrë kryetarin e opozitës, t’i hipi avionit bashkë dhe t’i bien përqark Europës.
Ky nuk bën këtë, ky thotë unë nuk e dorëzoj Fatmirin siç dorëzova Tahirin”, dokonspiron Shehi.
Duke treguar se oposioni i një qeverisjeje të përbashkët mes PD e PS është gati.
LSI mbetet jashtë këtij opsioni, pasi të dyja partitë, si PD dhe PS janë të interesuara ta shkrijnë atë dhe të gjitha partitë e tjera të vogla. Me PDIU janë në fund të procesit tashmë, radhën e ka LSI.
Dhe teksa rikthehemi tek akuzat e Ramës dhe Bashës me njëri tjetrin, për të mbajtur në këmbë lojën dyshe politike apo bipolaritetin politik, ajo që bie në sy në gjithë këtë “përplasje” mes tyre, është heshtja e prokurorisë.
Organi i akuzës, më e pakta, duhej të kishte nisur hetimet për shantazh, dhe të kërkonte vënien në dispozicion të materialeve të pretenduara se disponojnë palët përkatëse, videopërgjime apo dokumente të tjera që deklarojnë se i kanë. Por dhe Prokuroria me sa duket e di se është lojë./Pamfleti