Javët e fundit në PD është ngritur një grup me disa deputetë, të cilët po punojnë për të nxitur revolta, bojkot të Parlamentit dhe madje synojnë djegie të mandateve. Në krye të këtij grupi është deputeti problematik dhe i skandaleve në Partinë Demokratike, Flamur Noka , por pas tij fshihet Sali Berisha, i cili jo më larg se dje ka bërë thirrje për kryengritje dhe revolta. Gazeta ‘’SOT’’ deklaroi se ky grup është duke planifikuar skenarë destabilizues nëse vendi nuk merr hapjen e negociatave më 28 qershor. Kjo gjë u konfirmua dje nga vetë Flamur Noka.
“Nuk është padija e Edi Ramës që pengon hapjen e negociatave por dashuria që ka për korrupsionin dhe krimin e organizuar që ka ky, ëndrra e Edi Ramës është të flejë në shtratin e krimit së bashku me qeverinë e tij dhe ta plaçkitë këtë vend pavarësisht se Europa po na largon dhe nuk po na afron në gjirin e saj. Pas një jave Europa do ia mbyll dyert Shqipërisë dhe do ia përplas në surrat Ramës.
Marrëdhënia jonë me ju do të ndryshojë pas kësaj date, nuk do të pranojmë më që Edi Rama të mbajë peng të ardhmen Europiane të këtij vendi”, tha ai.
Deklarata e Nokës tregon dhe një herë se Berisha po nxit deputetët pranë tij për revolta dhe reagim të ashpër ndaj qeverisë. Që në protestën e 26 majit, Berisha ishte për dhunë dhe bojkot parlamentar, por Basha nuk e lejoi diçka të tillë.
Basha del kundër
Plani i Berishës dhe grupit pranë tij për revolta duket se nuk mbështetet aspak nga Lulzim Basha dhe aleatët e tij. Gazeta u interesua pranë PD mbi mënyrën se si do të vijojë aksioni opozitar dhe mësoi se momentalisht nuk ka asnjë plan, ndërkohë që synimi është që reagimet të rinisin në muajin shtator. Në vija të përgjithshme Basha ka rënë dakord dhe me aleatët e tij që në sesionin ri parlamentar opozita të nisë një fazë të dytë reagimi, ku të jetë më e konsoliduar dhe me ide më të qarta. Pak ditë më parë ishte Dashamir Shehi i cili tha se aksioni i ri do nisë në shtator.
“Ne do të fillojmë luftën nga shtatori e mbrapa në fillim duke ndryshuar ligjin zgjedhor”, tha Shehi pak ditë më parë. Edhe gazeta ka mësuar se Basha nuk ka asnjë plan për protesta apo reagime në korrik, kjo për dy arsye: Në korrik shumica e qytetarëve ikin me pushime dhe PD i druhet pjesëmarrjes së dobët në protesta. Dhe arsyeja e dytë është se Parlamenti mund të mbyllet në mes të korrikut. Kjo lëvizje e Bashës hedh poshtë planin e Berishës, ndërsa po ashtu rrëzon dhe Kryemadhin, e cila pak ditë më parë tha gjithashtu se opozita do rinisë reagimin pas vendimit për negociatat. Pra duket se përplasjet mes Bashës dhe dyshes Berisha-Kryemadhi kanë nisur dhe ish-kryeministri po shton lëvizjet për të marrë në dorë frenat e partisë.