Loading...

Hapja e negociatave, Shqipëria merr lajmin e shumëpritur nga KE. Zbardhet drafti

Më 28 qershor Shqipëria pret rekomandimin për hapjen e negociatave nga Bashkimi Europian. Gazeta‘’SOT’’ ka siguruar draftin e KE-së ku i është shpërndarë vendeve anëtare , ku thuhet se Shqipërisë do t’i hapen negociatat.

Një nga detyrat që i është vendosur Shqipërisë dhe politikës shqiptare është lufta kundër korrupsionit ku kërkohet zero tolerancë. Po ashtu kërkohet edhe reformimi i sistemit të drejtësisë, përmes procesit të nisur nga Vettingu.

“Këshilli vendos për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë. Me qëllim mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, Këshilli nënvizon nevojën kritike që Shqipëria të konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore në veçanti përmes vetingut dhe të japë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, në veçanti për kultivimin dhe trafikimin e drogës. Këshilli i bën thirrje Komisionit që të vëzhgojë nga afër përpjekjet e reformave së lartpërmendur nga Shqipëria dhe do të vlerësojë progresin në bazë të një raporti të Komisionit përpara konferencës së parë ndërqeveritare”, thuhet në dokument.

BE vlerëson reformat e Shqipërisë

Në draft-rekomandim vlerësohen arritjet e Shqipërisë, veçanërisht në 5 prioritetet e vendosura më parë nga Komisioni, duke veçuar reformën në drejtësi. Madje, në draft theksohet fakti se procesi i vetingut për njerëzit e drejtësisë po jep rezultatet të kënaqshme, ndërsa i kërkohet Shqipërisë që të vijojë bashkëpunimin e ngushtë me ONM, sa i takon procesit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Këshilli përshëndet progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në ndjekjen e reformave që lidhen me pesë prioritetet kyçe.

Ristrukturimi institucional i gjyqësorit është në vazhdim, si një gur themeli i një reforme gjithëpërfshirëse të drejtësisë. Procesi i ri-vlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët ka filluar të japë rezultatet e para të prekshme, duke përfshirë edhe anëtarët e lartë të gjyqësorit, nën mbikëqyrjen e ONM. Këshilli inkurajon Shqipërinë që të vazhdojë bashkëpunimin e saj të mirë me ONM. Këshilli inkurajon Shqipërinë që të zhvillojë progresin e konsiderueshëm deri tani dhe të ndjekë intensivisht reformën e drejtësisë, që synon rritjen e pavarësisë, llogaridhënies, profesionalizmit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor, sidomos nëpërmjet avancimit të mëtejshëm të procesit të verifikimit, i cili është vendimtar”, thuhet në dokument.

Politika e jashtme

Në draft-rekomandim vlerësohet gjithashtu edhe politika e jashtme e Shqipërisë, siç është unifikimi me qasjet e vendeve të BE-së. Po ashtu në draft,  vlerësohet edhe progresi i dukshëm i Shqipërisë sa i takon luftës ndaj terrorizmit. “Këshilli vlerëson përshtatjen e vazhdueshme të Shqipërisë me politikat e përgjithshme të jashtme e të sigurisë së BE, mirëpret përkushtimin dhe progresin në luftën ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Këshilli mirëpret përfshirjen e vazhdueshme konstruktive të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, intensifikimin e dialogut me vendet fqinje për çështjet bilaterale dhe për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore, të cilat mbeten esenciale (veprimet e deklaratat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet fqinjësore duhet të evitohen)”, thuhet në draft.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com