Duket se po merr një tjetër rrjedhojë skandali i paralajmëruar i Intesa Sanpaolo Bank, e cila pushoi nga puna 70 punonjës të Veneto Banka.
Kujtojmë se kjo bankë italiane në Shqipëri është blerë së fundmi nga ana e Intesa Sanpaolo Bank Itali, në vlerën e vetëm 1 euro por kujdes sepse Qeveria Italiane ka derdhur në arkat e Intesa Sanpaolo Bank shifrën e 2.5 miliardë euro.
Para të cilat po kjo bankë, pra Intesa Sanpaolo Bank do të duhet t’i përdorte për të likujduar klientët e kredive të këqija, por gjithashtu edhe punonjësit e bankave të Grupit Veneto Banka dhe Bankës Popolare di Vicenza, të cilët do t’i largonte nga puna.
Operacioni i shit-blerjeve të këtyre bankave në Itali, vitin që shkoi u kërkua nga ana e Kryeministrit Italian Gentilioni, dhe u aprovua nga Senati dhe Parlamenti Italian.
Mund të themi që ishte një operacion bashkimi bankash, i cili qëlloi fitimprurës për Intesa Sanpaolo Bank në Itali dhe në vende të tjera të Europës.
Pra në të gjitha vendet ku Veneto Banka ishte prezente me filialet e saj, por kjo jo në Shqipëri ku 70 punonjësit sot e shohin veten nga sot, në rrugë të madhe.
Ndërkohë bëjmë të ditur se nga burime brenda stafit të Veneto Banka, 70 punonjësit e saj, janë lajmëruar vetëm me anë të një njoftimi me e-mail për pushim e tyre nga puna.
Po sipas punonjësve të Veneto Banka, “Intesa Sanpaolo Bank në Shqipëri ka aplikuar ligjin shqiptar për pushimin nga puna që çuditërisht favorizon punëdhënësin dhe jo punëmarrësin, kur bëhet fjalë për ndryshimin e pronësisë.
Po sipas tyre, ky është një ligj që nuk vlen aspak në raste të tilla, sepse banka është blerë në Itali me vlerën 1 euro, me anë të një pakete shpëtimi të iniciuar nga ish-Qeveria Italiane e Gentilionit, e miratuar nga Senati dhe Parlamenti Italian me votat e deputëve italianë e dekretuar edhe nga Presidenti i Italisë Mattarella.”
Por nëse në Itali, vend ku ka shumë banka dhe çdo gjë që ka të bëjë me aktivitetin bankar të tyre, ku në rrisk janë aksionerët apo klientët e bankave, deri edhe tek punonjësit e tyre, çdo gjë kalon për aprovim në Parlament dhe Senat, në Qeveri dhe tek Presidenti, në Shqipëri Banka e Shqipërisë këto raste çuditërisht i trajton si “operacione bashkimi bankash”, njësoj si të ishte ndryshimi i pronësisë së një dyqani.
Për të mos folur këtu për papërgjegjshmërinë e Ministrisë së Financave e drejtuar nga z. Ahmetaj, që në këtë rast është shkrirë me atë të Punës, por edhe me Qeverinë Rama, Parlamentin Shqiptar apo Komisionin e Financave e drejtuar nga z. Braçe deri tek Presidenti Meta. Të gjithë këta, përjashtuar Kryeministrin Rama, e mbajnë veten për ekonomistë dhe financierë.
Pra të gjithë heshtin para këtij mega-skandali, një skandal që ka plasur ende pa dhënë Banka e Shqipërisë miratimin përfundimtar të bashkimit të dy bankave italiane, Intesa Sanpaolo Bank dhe Veneto Banka.
Një skandal që i gjen klientët e Veneto Banka në një lloj amulli të plotë, pa asnjë informim dhe proces transparence se çdo të ndodhë me ta, imagjino për 70 punonjësit e Veneto Banka. Në fakt e kush pyet për ta…/Pamfleti