Raportet vendase, por dhe ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria zë një ndër vendet e para për frymë për largimet e shtetasve të saj jashtë vendit.
Përmes rrugëve të ndryshme, duke filluar nga aplikimi në të gjitha llotaritë e mundshme, amerikane dhe kanadeze, viza, në mënyrë të paligjshme, shqiptarët janë me “trasta” në dorë në lëvizje të përhershme.
Lëvizje gjithnjë për në drejtimin jashtë kufinjve, për një jetë më të mirë, për një mundësi më të mirë, për një punë më të mirë apo për një shkollë më të mirë.
Opozita akuzon qeverinë e drejtuar nga Edi Rama se është shkaktare për këtë lëvizje të pandërprerë të shqiptarëve jashtë vendit duke boshatisur fshatra dhe zona të tëra.
Akuza është e drejtë, zë vend dhe është fakt se Edi Rama dhe qeverisja e tij përmes politikës që ka ndjekur ka shkaktuar këtë braktisje të madhe të vendit nga qytetarët e saj.
Të njejtën gjë ka bërë qeverisja paraardhëse e Sali Berishës, ku ka qënë një mandat dhe Ilir Meta si aleat bashkëqeverisës ashtu si në mandatin e parë të Ramës.
Për 28 vite me radhë shqiptarët janë përballur me keqqeverisjen e PD, të PS dhe të LSI në mandatet e fundit në koalicion me dy partitë e mëdha.
Secili kryeministër, politikan apo parti në qeverisje e kanë vjedhur dhe rrjepur këtë vend, e kanë shkretuar dhe ua kanë hequr të gjitha mundësitë shqiptarëve që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Po përse ikin shqiptarët nga vendi i tyre, ku kanë lindur, janë rritur dhe kanë ngritur familje. Madje ikin pa kthyer kokën pas?!
E para nuk kanë mundësi për të garantuar jetesën, taksat janë rritur, shërbimi ndaj qytetarëve është mizerabël.
Shëndetësia, pavarësisht se deklarohet se është pa pagesë nga qeveria aktuale, vetëm zoti të shpëton nga mjekët, të cilët jo vetëm që të rrjepin nga paratë për një ndërhyrje mjekësore të rëndomtë, por të mjekojnë jashtë të gjithë parametrave mjekësore, duke të rrezikuar jetën.
Po ashtu me shërbimin në marrjen e certifikatave të pronësisë, ku pronat janë të mbivendosura dhe mund të të hanë kokën derisa të zgjidhësh çështjen.
Por dhe energjia është stres më vete bashkë me ujin, rrugët janë skandaloze, karburantime çmimin më të lartë në rajon dhe fenomene të tjera që të bëjnë të dalësh natën nga ky vend.
Por dhe ata që e quajnë veten shtresë e mesme bashke dhe me njerëzt e “kamun” kanë probleme themelore me respektin ndaj punës së tyre, vlerësimin dhe mbështetjen nga ana ne shtetit dhe e ligjit.
Ndonëse kanë ndërruar pushtetet, në pikat nevralgjike të administratës janë njerëzit më të besuar të Berishës, Ramës, Metës dhe Bashës.
Të cilët tërheqin pas vetes njerëzit e tyre, duke bllokuar në këtë mënyrë të gjitha shtigjet për ata ekspertë dhe njerëz që kanë arritur diçka me zotësinë e tyre për të kontribuuar në pozicionin që dinë më mirë dhe për të cilin janë të aftë të bëjnë.
Këta aparatçikë partiakë, të lidhur me një mijë e një fije me kupolën politike në vend, arrijnë të bllokojnë tërë administratën dhe institucionet promovuese, duke ua bërë të pamundur njerëzve vërtetë të aftë të kontribuojnë për shoqërinë shqiptare dhe veten e tyre.
Ky kontigjent njerëzish janë të parët që aplikojnë apo lëvizin jashtë vendit, pasi kupola politike në Shqipëri ka bllokuar të gjitha “kanalet”, duke lënë vetëm kanalin komunikues që lëviz përmes listës së partisë dhe të besuarve të saj.
Por dhe poste të tjera që lëvizin sipas përkatësisë partiake, nëse je në Presidencë të gjithë ata të paafte që i ka kapur reforma do të jenë të punësuar të gjithë te gjithë nga Ilir Meta dhe vijnë nga LSI, por dhe që shërbejnë si “tampon” për të gjithë ata që aspirojnë punësim në këtë institucion.
Nëse je i opozitës pavarësisht se mund të mbeten pjesa më e madhe në postet kyçe të administratës, pjesa tjetër punësohet në institucionet që drejton opozita, si KLSH, Avokati i Popullit dhe institucione të tjera.
Madje gjyma e Tiranës është punësuar në bashkitë Vorë dhe Kamëz që drejtohen nga demokratët dhe janë kthyer në çerdhe punësimi vetëm për demokratët.
Kështu ka qënë në gjykata, prokurori dhe organet e tjera ligjzbatuese, pa përjashtuar dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, ku militantë të PD gjetën “strehë” tek shërbimi sekret.
Të gjithë tenderat, licensat dhe punët me lekë në Shqipëri janë grumbulluar në një dorë njerëzish që u kanë shërbyer të gjitha pushteteve dhe u shërbejnë dhe financojnë kupolën politike në Shqipëri.
Nuk ka rëndësi se kush është në pushtet, këta biznesmene njihen tashmë, quhen madje si të “Ramës”, “Berishës”, “Metës” dhe “Bashës” ku bëhen emërtesat e tyre.
Këta njerëz kanë grumbulluar gjithë paranë publike në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër është në kushtet e mbijetesës, familentit dhe rruga e vetme është largimi jashtë vendit.
Madje duke lënë pas dhe një barrë me borxhe për shkak se s’kanë punuar se nuk kanë pasur mbështetje politike.
Madje arrihet deri atje sa kupola politike përdor dhe paratë e shtetit për të shpërblyer vetëveten, siç është rasti më i freskët kur kryeministri Rama shpërbleu me jo pak por 13.3 milionë euro vjehrrin e Lulzim Bashës për një ndërtesë të paligjshme të ndërtuar mbi det që iu shemb nga shteti.
Apo dhe lejimi i ndërtimit të kompleksit të 17- katsheve të klientëve të Berishës, Bashës dhe më pas Ramës nga vetë kryeministri Rama, tek Liqeni Artificial në Tiranë.
Dhe të gjithë këto para publike, në dorë të privatit, ndahen mes tyre. Ku ‘tepron’ dhe për të punësuarit në këto biznese që janë nga “dora” e vetë vetë kupolës.
Dhe duke i parë të gjitha këto rrugë të mbyllura nga kupola politike e përbërë nga Rama, Berisha, Meta dhe Basha, pa asnjë mundësi tjetër mbijetese, shqiptarët lënë gjithçka në vendin e tyre dhe largohen jashtë vendit./Pamfleti