Në fillim mbledhjet e grupit parlamentar të PD dhe të LSI bëheshin të përbashkëta në selinë e demokratëve buzë Lanës.
Në këto mbledhje merrte pjesë dhe kryetarja e PD Monika Kryemadhi që pozicionohej përkrah Berishës në sallë, ndërkohë që kryetari i PD Lulzim Basha drejtonte mbledhjen.
Merreshin vendime se si do të bllokohej Edi Rama për emërimin e anëtarëve dhe drejtuesve të institucioneve zbatuese të Reformës në Drejtësi dhe Vettingut.
Por dhe vendosej radikalizimi i opozitarizmit në Kuvend për të mos lejuar zgjedhjen e Arta Markut në krye të Prokurisë së Përgjithshme, pavarësisht se ishte e përkohëshme.
Aty patën zanafillën dhe goditja me miell e Ramës, ministrave dhe vetë Arta Markut.
Madje në mënyrë spontane fluturuan dhe çizmet e Monikës në drejtim të kryeministrit Edi Rama, pa përjashtuar këtu përplasjen me Gardën në hyrje të postbllokut të Kuvendit, ftesën për turmën që të hyjë në sallë dhe aksione të tjera opozitare.
Të gjithë këto i përkasin të së kaluarës së marrëdhënieve të mira mes Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, kur mbledhjet e grupeve të PD e LSI bëheshin bashkarisht, konsultat bashkë dhe aksionet opozitare bashkë.
Por mosbesimi i Monikës ndaj Lulit dhe mungesa e garancisë se nuk do ta tradhëtojë sërish me Ramën, vendosja e kontaktit të drejtëpërdrejtë me kryeministrin herë përmes Ilir Metës e herë vetë, dhe mbi të gjitha kur pa se Edi Rama jo vetëm nuk e ka seriozisht reformën në drejtësi, por është bashkë me Berishën, Metën, Lulin për ta bllokuar atë, Monika Kryemadhi shkëputi lidhjet dhe marrëdhëniet opozitare me Lulzim Bashën.
Pasi shënoi një sërë mungesash dhe mos takimesh me Bashën, por dhe disa sulme frontale ndaj tij, duke e akuzuar se respekton ende marrëveshjen e 18 majit të vitit të kaluar me kryeministrin Edi Rama, ndaj s’besonte më në seriozitetin e liderit demokrat, Monika ndërpreu mbledhjet e përbashkëta të grupit parlamentar të PD dhe të LSI në selinë e SHQUP.
Madje Monika e anashkaloi aq shumë Bashën sa dhe në takimet e krerëve të opozitës në selinë e PD nuk shkonte vetë por dërgonte nënkryetarin e LSI, njëherësh dhe kryetarin e grupit të kësaj partie Petrit Vasili.
Duke anashkaluar Bashën dhe duke i dhënë shanse pothuasje zero një koalicioni të mundshëm për zgjedhjet e pushtetit vendor në qershorin e ardhshëm mes PD dhe LSI.
Pasi jo vetëm që Basha nuk i ka kthyer përgjigje për 22 bashkitë që ka kërkuar të përfaqësojë LSI në garën për zgjedhjet vendore të vitit 2019, por Monika ka pasur “joshje” dhe nga Edi Rama për mbështetje në bashkitë e Pogradecit dhe Vorës.
Ndërkohë që është fakt që është Edi Rama ai që po mban Metën dhe Monikën jashtë burgut me bllokimin që po u bën ngritjes së institucioneve të zbatimit të reformës në drejtësi SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe mbajtjes jashtë burgut të “peshqve të mëdhenj”.
Të gjithë këto, shtuar dhe rrjedhjet që kanë lodhur LSI kohët e fundit, kanë bërë që Monika Kryemadhi të shkëpusë komunikimin me Bashën dhe të vihet në kërkim të aleatëve të tjerë të mundshëm, pa përjashtuar këtu Edi Ramën./Pamfleti