Parlamenti i Kanadasë i ka dhënë dritën jeshile ligjit që legalizon përdorimin e marihuanës në mbarë vendin.
Ligji i Kanabisit kaloi pengesën e tij përfundimtare të martën në Parlament, me një votim që i siguroi 52 vota pro dhe 29 kundër në Senat. Projekt-ligji kontrollon dhe rregullon mënyrën se si mund të kultivohet, shpërndahet dhe shitet droga.
Kanadezët do të jenë në gjendje të blejnë dhe të konsumojnë legalisht kanabis që në fillim të shtatorit të këtij viti.
Kanadaja është vendi i dytë në mbarë botën që legalizon përdorimin rekreativ të drogës.
Uruguai u bë vendi i parë që legalizoi shitjen e kanabisit për përdorim rekreativ në dhjetor të vitit 2013, ndërkohë që një numër shtetesh amerikane kanë votuar gjithashtu për ta lejuar atë.
Posedimi i kanabisit fillimisht u sanksionua si krim në ligj në Kanada në vitin 1923, por përdorimi mjekësor i tij ka qenë ligjor që prej vitit 2001.
Projekt-ligji pritet të marrë pëlqimin mbretëror këtë javë dhe qeveria pastaj do të zgjedhë një datë zyrtare kur ligji do të hyjë në fuqi.
Kryeministri Justin Trudeau ka shkruar në Twitter se deri tani, “ka qenë shumë e lehtë për fëmijët tanë të sigurojnë marihuanë dhe për kriminelët që të korrin fitimet. Sot ne e ndryshuam atë. Plani ynë për ta legalizuar marijuanën sapo kaloi në Senat. #Premtim i mbajtur”.
Qeveria pritet t’u japë provincave si dhe komunave, tetë deri në 12 javë kohë për të ngritur tregun e ri të marijuanës.
Ky afat kohor do të lejojë gjithashtu industrinë dhe forcat e policisë që të përgatiten për kuadrin e ri ligjor.
Si do të funksionojë marijuana ligjore në Kanada?
Është e mundshme që deri në mes të shtatorit, kanadezët do të jenë në gjendje të blejnë kanabis dhe vajin e kanabisit të rritur nga prodhuesit e licencuar në vende të ndryshme të shitjes me pakicë. Kanadezët në të gjithë vendin gjithashtu do të jenë në gjendje të porosisin online drogën nga prodhuesit federalë të licencuar.
Të rriturit do të lejohen të posedojnë deri në 30 gramë kanabis, dhe nëse kapen në publik me këtë sasi, nuk do të penalizohen duke u burgosur.
Mosha minimale ligjore që lejohet për të blerë dhe konsumuar marihuanën është vendosur 18 vjeç, por disa provinca kanë vendosur 19 vjeç.